Zbulohet planeti më i largët i sistemit diellor
Florida, 27 mars - Astronomët kanë zbuluar një planet shkurtabiq, që ndodhet më larg sesa Plutoni, aq larg në fakt, saqë orbita e tij arrin në një skaj të ri të sistemit diellor.
Emri i planetit është 2012 VP113 dhe është lokalizuar në një zonë të humbur të sistemit diellor, tha astronomi Chad Trujillo, kryetari i optikës adaptive në Observatorin Gemini në Havai, njëkohësisht bashkëzbulues i objektit. Studimi i tij u publikua ditën e mërkurë në revistën Nature.
Pyetja madhore është: si u formua ai? Si mund të qëndrojë një objekt aq larg?, shprehet ai. Ne nuk e dimë ende përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje.
Ky planet shkurtabiq është i pazakontë, për shkak të orbitës së tij. Në rrotullimin e tij eliptik, edhe kur i afrohet diellit, ai mbetet sërish shumë larg prej sistemit diellor. Orbita e tij e plotë është më larg sesa orbita e çdo objekti tjetër që njohim në këtë sistem.
Planeti madhor më i largët nga Dielli është Neptuni, me një orbitë rrotull Diellit në një distancë prej 30 njësish astronomike. Një njësi astronomike është distanca mesatare midis Tokës dhe Diellit, rreth 150 milionë kilometra, ose 93 milionë milje.
Përtej Neptunit është Kuiper Belt, një seri objektesh me formën e unazës, që zgjaten rreth 30-55 njësi astronomike, sipas NASA-s. Ky rrip mund të përmbajë qindra mijëra objekte të mëdha të ngrira dhe triliona kometa. Plutoni konsiderohet si një planet shkurtabiq në Kuiper Belt.
Ndërsa planeti i ri, i quajtur në mënyrë të çuditshme si 2012 VP113 është shumë më larg nga dielli, në një largësi prej 83 njësish astronomike. Kjo e vendos atë në një distancë 83 herë më të madhe sesa distanca Tokë-Diell.