Zbulohen planetë të rinj jashtë galaktikës sonë
Florida, 8 shkurt - Shkencëtarët e kanë ditur gjithmonë se ka planetë të tjerë jashtë galaktikës sonë, por nuk i kanë zbuluar dot kurrë deri më tani. Ata kanë njoftuar më në fund zbulimin për herë të parë të disa planetëve jashtë Rrugës së Qumështit.
Nëpërmjet metodave të ndryshme janë zbuluar planetë të largët nga Toka me qindra apo mijëra vite dritë larg, por nuk ishin zbuluar asnjëherë planetë me të vërtetë shumë të largët, të cilët ekzistojnë në galaktika të tjera.
Për zbulimin e kësisoj planetëve janë të nevojshme lentet gravitacionale. Ato janë një efekt astronomik, në të cilin rrezja e dritës që buron nga një yll i largët ose kuasar përcjell gravitetin e një objekti ndërmjetës, siç mund të jetë një yll tjetër apo një vrimë e zezë, kur shihet nga Toka. Ky efekt është parashikuar nga teoria e relativitetit të përgjithshëm të Ajnshtajnit.
Pikërisht këto lente gravitacionale janë çelësi i këtij zbulimi të madh, që është realizuar nga astrofizikanët Xinyu Dai dhe Eduardo Guerras nga Universiteti i Oklahomës.
Duke përdorur të dhëna nga Observatori “Chandra X-ray” i NASA-s, dy shkencëtarët e lartpërmendur studiuan kuasarin “RX J1131-1231”, i cili gjendet 6 miliardë vite dritë larg, pasi valët gravitacionale u shfaqën kur një galaktikë 3,8 miliardë vite dritë larg kaloi para saj. Ndërkohë që galaktika kaloi para kuasarit “RX J1131-1231”, ndriçimi në lenten gravitacionale u rrit dhe u shumëzua në 4 imazhe të veçantë duke treguar ekzistencën e galaktikave dhe planetëve në të.
Pavarësisht këtij zbulimi, galaktikat në fjalë ndodhen 3,8 miliardë vite dritë larg Tokës dhe nuk ekziston as shansi më i vogël për të vëzhguar direkt planetët që gjenden në të, madje as me teleskopin më të mirë të imagjinueshëm.
Megjithatë ky mbetet një zbulim me të vërtetë emocionues, pasi vërteton se planetët ndodhen atje jashtë, diku në një galaktikë tjetër.
Planetët e porsazbuluar kanë përmasa të ndryshme nga ajo e hënës dhe deri tek madhësia e Jupiterit.
“Jemi shumë të emocionuar nga ky zbulim. Kjo është hera e parë që dikush ka zbuluar planetë jashtë galaktikës sonë”, tha astrofizikani Dai.
Studimi është botuar nga profesorët Dai dhe Guerras në gazetën shkencore “The Astrophysical Journal”.