Windows Phone tejkalon shitjet e iPhone në disa vende
New York, 29 mars - Për sa i përket pjesës së tregut te telefonave, pajisjet Windows Phone janë shumë mbrapa iPhone, me sistemin operativ të celularëve nga Microsoft që ka vetëm 3% të tregut.
Edhe themeluesi i Microsoft Bill Gates e etiketoi strategjinë e telefonave inteligjentë të kompanisë si një gabim.
Nuk është çudi, atëherë, që pyetjet u ngritën kur Frank Shaw, kreu i marrëdhënieve publike të Microsoft, njoftoi në një postim në blog të martën se shitjet e Windows Phone kanë tejkaluar ato të iPhone në shtatë vende gjatë tremujorit të katërt.
Gazeta The New York Times bëri disa gërmime dhe ka pyetur firmën kërkimore IDC, e cila ka dhënë statistika në postimin e Shaw. Në cilat vende, Windows Phone ka tejkaluar iPhone?
Ishin gjashtë vende: Argjentina, India, Polonia, Rusia, Afrika e Jugut dhe Ukraina, ndërsa vendi i shtatë ishte në fakt një grup kombesh të vogla, që IDC i kategorizon si pjesa tjetër e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Kevin Restivo, një analist i IDC, ka dhënë detaje të mëtejshme. Windows Phone ka shitur në të vërtetë më pak se 100.000 njësi gjatë tremujorit të katërt në secilin nga tre tregjet e mëposhtme: Ukrainë, Afrika e Jugut dhe pjesa tjetër e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Restivo shtoi se Windows Phone shitet shumë në vendet që Nokia është telefoni më i pëlqyer dhe që është edhe partneri i Microsoft.
Në këto tregje, iPhone shitet më pak për shkak të kostos së lartë dhe subvencioneve të pakta nga operatorët.