Windows Phone 8 me rezolucion 1080p
New York, 14 prill - Një prej avancimeve që Microsofti dëshiron të përfshijë në sistemin e vet operativ Windows Phone 8 para fundit të këtij viti është edhe përkrahja për rezolucionet 1080p në ekranet e pajisjeve.
Në këtë moment, kjo platformë ofron përkrahje për rezolucionet WVGA, WXGA dhe 720p, por përkrahja për full HD pritet në azhurnimin e ardhshëm.
Një avancim i tillë do të hapte dyert për smartphone shumë më të fuqishëm me këtë platformë, siç është për shembull HTC Zenith për të cilin qysh vitin e kaluar thashethemet thonin që vjen me procesor quad-core.
Sipas informatave nga kjo kompani, HTC ka hequr dorë nga ky model për shkak të mungesës së përkrahjen së rezolucionit të lartë tek platforma Windows Phone 8, por tani përsëri shfaqen gjasat për plasimin e tij.
Edhe pse nuk ka informata konkrete për atë se kur do të mund të arrijë përkrahja për rezolucionet 1080p, thashethemet e para thonë që Microsofti do të mund ta përfshijë në updatein GDR3 i cili arrin kah fundi i këtij viti.