Whatsapp bllokohet në Brazil
Rio de Zhanerio, 4 maj - Një gjykatës në Brazil urdhëroi që të gjitha kompanitë telefonike në vend të bllokojnë Whatsapp, aplikacionin e famshëm për mesazhe që zotërohet nga Facebook, pasi nuk pranoi që ti dorëzojë të dhëna autoriteteve braziliane për një hetim mbi trafikun e drogës.
Që tani Whatsapp ka ndalur së funksionuar në Brazil, një lëvizje që ka zemëruar padyshim miliona brazilianë që e përdorin këtë aplikacion rregullisht për mesazhe dhe telefonata falas.
Sipas gjykatës, shërbimi i Whatsapp do të bllokohet për 72 orë, ose 3 ditë. Kjo nuk është hera e parë që Whatsapp vihet në shënjestër nga gjykatësit.
Në mars, zv.presidenti i Facebook për Amerikën Latine u arrestuar pasi autoritetet thanë se kompania nuk pranoi që të dorëzonte të dhënat e Whatsapp për hetime të ndryshme. Facebook tha se veproi kështu për të mbrojtur përdoruesit e saj.
Dhjetorin e shkuar, një tjetër gjykatës në Brazil bllokoi shërbimin Whatsapp për 48 orë sërish pasi kompania nuk ju përgjigj dy urdhrave për të dhëna për llogari të një hetimi kriminal.
Whatsapp dhe Facebook nuk kanë komentuar bllokimin e fundit, por dihet qëndrimi i tyre për të mos zbuluar kurrsesi bisedat e përdoruesve të tyre. Së fundmi, Whatsapp kodoi totalisht komunikimet në platformën e saj dhe tashmë askush, as vetë Wahtasapp, nuk mund të shohë komunikimet veçse dërguesit dhe marrësit.