Vlerësohet implementimi i Strategjisë për Siguri Kibernetike
Prishtinë, 14 dhjetor - Nën udhëheqjen e zëvendësministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, respektivisht Koordinatorit Nacional për Siguri Kibernetike, z. Nehat Mustafa dhe përkrahjen e OSBE-së, u mbajt punëtoria dyditore e Këshillit Shtetëror për Siguri Kibernetike, me çrast u vlerësua Strategjia dhe Plani i Veprimit për Siguri Kibernetike 2016-2019.
Si në shumë vende edhe në Republikën e Kosovës, siguria kibernetike është bërë një prej synimeve kryesore. Liria në internet dhe vlerat njerëzore duhen mbrojtur, ashtu siç duhet mbrojtur edhe infrastrukturën digjitale nga incidentet potenciale dhe veprimet keqdashëse, theksoi zëvendësministri Mustafa.
Zëvendësministri Mustafa tha se vendi ynë tanimë ka bërë hapa konkret në këtë drejtim, duke miratuar Strategjinë Shtetërore për Sigurinë Kibernetike, si pjesë e Programit të Qeverisë 2016-2019, e cila në të njëjtën kohë ndërlidhet me Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Ende pa kaluar një vit i plotë nga miratimi i strategjisë, me kënaqësi mund të konkludojmë se janë arritur përparime të ndjeshme në përmbushjen e objektivave, falë implementimit të aktiviteteve nga institucionet kompetente. Prandaj, shfrytëzoj rastin që edhe një herë tiu falënderoj secilin prej jush për seriozitetin e treguar në përmbushjen e obligimeve institucionale që rrjedhin nga strategjia. Gjithashtu, një falënderim i drejtohet edhe misionit të OSBE-së dhe ICITAP-it për përkrahjen e vazhdueshme që po na ofrojnë, tha zëvendësministri Mustafa.
Plani i Veprimit i Strategjisë për Siguri Kibernetike përbëhet prej gjithsejtë pesë (5) Objektivave Strategjike, që njëherit janë edhe pesë shtyllat e kësaj strategjie, 13 Objektivave Specifike dhe 66 aktiviteteve. Si e arritura më e madhe për vitin 2016, padyshim që janë ngritja e CERT-ave, në të gjitha institucionet relevante ( me përjashtim të CERT-it qeveritar që pritet të themelohen së shpejti), si dhe organizmi i Konferencës së parë Rajonale për Siguri Kibernetike, e vlerësuar si shumë e suksesshme nga të gjithë pjesëmarrësit.
Në fund u konkludua se bazuar në vlerësimin e përgjithshëm, zbatimi i strategjisë dhe planit të veprimit për siguri kibernetike ka pasur progres të kënaqshëm. Edhe pse jemi në vitin e parë të implementimit(janardhjetor2016), janë treguar rezultate inkurajuese, rreth 50 % të aktiviteteve të parapara janë implementuar plotësisht, kurse rreth 50 % të tjera janë implementuar pjesërisht, ose pritet të filloj implementimi i tyre në vitin 2017. Punëtoria u përshëndet edhe nga z. Hans Bengtsson nga OSBE-ja dhe znj. Drita Pereziç nga ICITAP-i.