Ukraina bllokon qasjen ndaj disa faqeve ruse në internet
Kiev, 18 maj - Zyrtarët amerikanë thanë se po ndjekin nga afër një urdhër të qeverisë ukrainase, për bllokimin e qasjes ndaj një numri faqesh elektronike ruse, në raundin e fundit të sanksioneve lidhur me aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka marrë një pozicion zyrtar për këtë çështje. Megjithatë një zyrtar amerikan i paidentifikuar, i tha Zërit të Amerikës se vendimi i fundit i presidentit ukrainas, Petro Poroshenko për të ndaluar qasjen ndaj disa faqeve elektronike popullore ruse, si ajo e kërkimeve, Yandex për tre vjet, minon të drejtën e sanksionuar me kushtetutë për lirinë e shprehjes.
Megjithë fushatat e mediave të kontrolluara nga Rusia, që kërkojnë të minojnë median perëndimore dhe qeverinë e Ukrainës me lajme të rreme dhe informacione të pasakta,\" liria e shprehjes është një element kyç i çdo demokracie të shëndetëshme dhe mishërohet në Kushtetutën e Ukrainës.
\"Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Ukrainës, të gjejë një rrugë për të mbrojtur interesat e saj kombëtare që nuk minojnë parimet kushtetuese, tha zyrtari.
I pyetur në se kishte ndonjë komunikim mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre ukrainas para njoftimit të zotit Poroshenko për ndalimin e qasjes ndaj faqeve elektronike, zyrtari tha se megjithëse nuk mund të komentonin për bisedat diplomatike private lidhur me këtë çështje, \"ne jemi përfshirë shpesh në biseda me qeverinë e Ukrainës rreth rëndësisë së garantimit të lirisë së shprehjes.\"
Raundi i fundit i sanksioneve shton faqen Yandex dhe faqet e medias sociale Odnoklassniki dhe Vkontakte, në listën e mbi 400 firmave ruse të ndaluara nga Kievi, që nga aneksimi i Krimesë nga Moska në vitin 2014. Sipas agjencisë Reuters, Kremlini ka kërcënuar se do të kundërpërgjigjet.