Twitter pezullon disa llogari në ditën e zgjedhjeve në SHBA
New York, 4 nëntor - Twitter tha se ka pezulluar disa llogari të krijuara së voni, të cilat kanë shkelur politikat e këtij rrjeti social, në lidhje me publikimin e lajmeve për zgjedhjet në SHBA.
Twitter tha se llogaritë në fjalë kanë shpërndarë përmbajtje identike, ndërsa janë shfaqur si të pavarura.
Një nga llogaritë e pezulluara, SVNewsAlerts, ka pasur mbi 69,000 ndjekës.
Llogaria ka paralajmëruar shpesh trazira në lidhje me zgjedhjet, si dhe ka nxjerrë në pah çështje në lidhje me sigurinë dhe besueshmërinë e votimit.
Llogaritë e tjera të pezulluara nga Twitter përfshijnë: FJNewsReporter, Crisis_Intel dhe Faytuks.
Në prag të ditës së zgjedhjeve, Twitter ka njoftuar se do të vendosë etiketime në postime të caktuara, të tilla si: “Burimet zyrtare e kanë shpallur këtë fitore ndryshe”.
Twitter po ashtu ka thënë se, për rezultatin përfundimtar, do të marrë parasysh zyrtarët zgjedhorë dhe mediat kombëtare, si: ABC News, Associated Press, CNN dhe Fox News.
Në SHBA janë duke vazhduar ende votimet për presidentin e ri.