Twitter arrin në 200 milionë përdorues
New York, 21 mars - Twitter ka postuar një video si kronologji të ngjarjeve për 7 vitet e funksionimit të rrjetit social, duke i përshkruar momentet kryesore të kompanisë që nga cicërima e parë e bërë nga Jack Dorsey, themeluesi i kompanisë.
Në video përshkruhen momente të rëndësishme për Twitter, si përdorimi i parë i re-tweets, hashtag, cicërima e parë nga gjithësia si dhe shërbimi i ri i videos Vine, të cilin Twitter e ka lansuar së fundmi.
Ngjarje tjera të rëndësishme për Twitter dhe për ne të tjerët të cilët e përdorim këtë shërbim, kanë qenë raportimet dhe cicërimat e bëra rreth cunamit në Japoni, protestat në sheshin Tahrir në Egjipt, inaugurimi i presidentit Obama, ose për ne shqiptarët, radhitja e #100yearsAlbania në mesin e trendeve globale në Twitter.
Në postimin e saj në blog, Twitter gjithashtu ka thënë se ka arritur në 200 milionë përdorues aktivë, një ngritje kjo prej 60 milionë përdoruesve që nga viti i kaluar, si dhe ka njoftuar se për çdo ditë, rrjeti social dërgon më shumë se 400 milionë cicërima.