Trump sulmon rrjetet sociale Facebook, Twitter dhe Google
Washington, 21 mars - Presidenti Donald Trump ka akuzuar mediat sociale, si platformat Facebook, Google dhe Twitter, se janë të njëanshëm dhe sugjeroi që situata duhet të shqyrtohet me vëmendje.
Presidenti Trump, një përdorues i pasionuar i Twitter-it, ka mbështetur ligjvënësin nga Kalifornia Devin Nunez, republikani më i lartë në Komisionin e Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, i cili ka paraqitur kundër Twitter-it një padi për shpifje dhe neglizhencë, ku pretendon se kompania mundësoi një fushatë të rëndë kundër tij.
Në përgjigjen dhënë një gazetari në Shtëpinë e Bardhë të martën, presidenti Trump tha se platformat digjitale kanë tendencë të përjashtojnë apo të ndrydhin pikëpamjet republikane dhe konservatore.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin brazilian Zhair Bolsonaro, presidenti Trump tha se përçon mesazhin e tij tek më shumë se 100 milionë njerëz përmes Twitter-it dhe platformave të tjera dixhitale.
Ai e shfrytëzon mirë këtë vëmendje. Të dhënat nga Facebook-u dhe raportet e transparencës politike të kompanisë Google, të grumbulluara nga organizata Bully Pulpit Interactive, tregojnë se fushata për rizgjedhjen e presidentit Trump ka harxhuar pothuajse dy herë më shumë fonde sesa të gjithë kandidatët demokratë për reklamat në Facebook dhe Google. Por të martën, ai i akuzoi këto kompani si të njëanëshme.
"Këto po ndodhin. Llogari të caktuara po bllokohen. Njerëzit nuk po lejohen të shprehen. Keni dëgjuar ankesa të ngjashme dhe duket se nëse janë konservatorë, nëse janë republikanë, nëse i përkasin një grupi të caktuar, ka diskriminim dhe diskriminim të madh. E shoh këtë shumë qartë në Twitter dhe Facebook, ku jam aktiv si edhe të tjerët".
Të martën, drejtori për mediat sociale i zotit Trump, Dan Scavino, postoi një mesazh të irrituar në Facebook, me pyetjen se përse rrjeti kishte bllokuar komentet në llogarinë e tij.
Gjigandi i medias sociale kërkoi falje duke thënë se algoritmi i Facebook-ut kufizon numrin e postimeve "të njëjta, të përsëritura" në një llogari të vetme në një periudhë të shkurtër kohore, në përpjekje për të bllokuar spamin.
Por Trump akuzoi platformat sociale, shfaqjet televizive dhe mediat e lajmeve në përgjithësi se anojnë nga "Demokratët e Radikalëve të Majtë" dhe tha se përdoruesit janë të vetëdijshëm për këtë.
"Njerëzit janë të zgjuar, ata e kuptojnë. E provojnë këtë eksperiencë dhe në fund, marrin vendimin e duhur. Është një situatë shumë e rrezikshme. Pra jam dakord me idenë se kjo situatë duhet të shqyrtohet me kujdes", tha presidenti.
Ligjvënësi Nunez ngriti të hënën një padi kundër Twitter-it dhe tre përdoruesve të tij, duke pretenduar se i kishin shkaktuar një dëm prej të paktën 250 milionë dollarësh.
Nunez, i cili ishte anëtar i ekipit të tranzicionit të presidentit Trump, pretendon se Twitter-i me dashje nuk arriti të mbyllë llogaritë e rreme ku atë e fyenin.
Ky rast po nxit debatin nëse vendosja e rregulloreve për mediat sociale do të përbënte censurim apo mbrojtje të sigurt nga ngacmimet.