Tregtia në internet shënon rritje të shpejtë
New York, 24 dhjetor - Konsumatorët amerikanë po shpenzojnë më shumë se kurrë në tregtinë e internetit, një prirje që ekspertët thonë se ka gjasa të përhapet në vende të tjera.
Shitjet në internet tani përbëjnë 10 për qind të shitjeve me pakicë në Shtetet e Bashkuara, duke bërë që dyqanet tradicionale të kërkojnë mënyra tjera për të ruajtur klientët e tyre.
Lynne Shaner përdori internetin për të blerë të gjitha gjërat e nevojshme për dasmën e saj dhe dhuratat me rastin e festave për burrin dhe vajzën e saj.
Përveç ushqimit, 90 për qind të blerjeve ajo i bën përmes kompjuterit në apartamentin e saj në Uashington.
Duke zgjedhur në internet gjërat për të cilat kam nevojë dhe duke porositur ardhjen e tyre te pragu i derës së shtëpisë, unë shmang përdorimin e makinës, turmat e njerëzve dhe zhurmën. Prandaj, nga shtëpia bëj përzgjedhje më të mirë për gjërat që më duhen.
Ka shumë njerëz si zonja Shaner. Analistët thonë se tregtia në internet në Shtetet e Bashkuara ka shënuar rekorde të reja në muajt nëntor dhe dhjetor. Pesëdhjetë e shtatë për qind e amerikanëve kanë bërë të paktën një blerje përmes internetit.
Tregtarët tradicionalë kanë frikë se shtimi i tregtisë në internet do të zvogëlojë hapësirën e tyre të tregut.
Profesori i marketingut në Universitin Cornell, Ed McLaughlin thotë se ata kanë arsye për shqetësim. Ai përmes Skype-it bisedoi me Zërin e Amerikës.
Nëse mund të porositet përmes internetit, ashtu do të bëhet. Pra, është vetëm çështje kohe.
Zoti McLaughlin thotë se dyqanet tradicionale mund të ruajnë klientët e tyre duke ofruar mallra si veshjet, të cilat konsumatorët duan ti shohin dhe ti provojnë para se ti blejnë, si dhe artikujt që nuk mund të dërgohen me postë. Ai thotë se edhe disa nga dyqanet që zakonisht ofrojnë shërbime vetëm në ndërtesat e dyqaneve të tyre kanë filluar ti ofrojnë shërbime klientëve të tyre që mund të realizohen në internet si riparimi e kompjuterave dhe pajisjeve tjera elektronike.
Dyqane tradicionale gjithashtu ofrojnë një përvojë sociale që preferojnë disa nga konsumatorët.
Bill Martin është themelues i kompanisë ShopperTrak.
Ana emocionale është e rëndësishme kur blehet diçka. Shpesh, ke nevojë për një ndjesi vendosmërie, që ajo që po blen është vërtet ajo që do, dhe këtë lloj ndjesie nuk e ke gjithmonë kur blen në internet. Tregtia në internet është një proces tepër i ftohtë.
Zoti Martin gjithashtu thotë se dyqanet tradicionale mund ti sjellin mallrat në shtëpi më shpejt se sa dyqanet në internet. Tregtarët tani përmes faqeve të tyre të internetit po inkurajojnë konsumatorët të vizitojnë dyqanet e tyre dhe anasjelltas.
Ndërkohë që tregtia në internet është shqetësuese për disa tregtarë, ajo është një nxitje e madhe për bizneset postare si FedEx dhe UPS.
Menaxherja e kompanisë UPS, Dana Kline thotë se tregtia në internet e shton biznesin për kompaninë e saj sidomos në këtë periudhë të vitit.
Më 20 dhjetor ne presim 28 milionë porosi për dërgesa brenda ditës, që e cila është rreth një milion më shumë në të njejtën periudh të vitit të kaluar.
Si rezultat i shtimit të aktiviteteve, UPS është duke punësuar 55 mijë punëtorë të përkohshëm gjatë sezonit të pushimeve për të realizuar dërgesat e porositura në internet.
Këto dergesa shpërndahen në shtëpitë e konsumatorëve si Lynn Shaner.
Ekspertët thonë se me rritjen e numërit të përdoruesve të internetit dhe telefonave inteligjentë, tregtia në internet ka të ngjarë të vazhdojë rritjen e saj këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera.