24 Dhjetor 2024

Transformimi digjital i ekonomisë nxitës i zhvillimit të qëndrueshëm

Prishtinë, 28 tetor - Konferenca e Teknologjisë Informative KOSICT  për të pestin vit me radhë ka mbledhur në Prishtinë përfaqësues të teknologjisë dhe biznesit, të cilët për dy ditë do të vënë në qendër të vëmendjen këtë sektor.

Konferenca zhvillohet nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ndërsa marrin pjesë rreth 50 folës dhe mbi 1 mijë pjesëmarrës.

Në fjalën e tij të hapjes, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli tha se teknologjia e informacionit ka potencial për nxitjen e zhvillimit ekonomik, që lidhet me përhapjen e fuqishme të internetit, me moshën e re të popullsisë, si dhe me dëshirën e madhe që kanë të rinjtë tanë të talentuar për të shkëlqyer në këtë fushë.

“Ky sektor është duke u zhvilluar me një ritëm të shpejtë në nivel ndërkombëtar. Po të përpiqemi më shumë, edhe ne mund të përfshihemi në këtë treg global”, tha ai duke shtuar se zhvillimi i kësaj fushe lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.

Ai përsëriti premtimin për vënien e Qendrës Protokollare në Gërmi në shërbim të Teknologjisë Informative.

Nga ana e tij, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci tha se ajo që duhet bërë duke e parë ekonominë dhe nevojat e sektorit privat dhe disponueshmërinë e resurseve njerëzore që është kapitali më i madh, është fokusimi në transformimin digjital të gjithë sektorëve të ekonomisë, ku fjalën kryesore e ka teknologjia e informacionit.

Sipas tij, këtë transformim digjital mund ta arrijmë dhe është një koncept modern i cili mund të adaptohet, ngase sot nuk mund të mendohet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik pa zhvillimin e këtij sektori.

Ai tha se së shpejti do të fillojë i ashtuquajturi park digjital, që fushën e TIK-ut të mund ta shtyjmë në një nivel tjetër dhe kështu mund ta transformojmë ekonominë tonë. 

Ndërsa, Mentor Sahiti – Kryesues i Bordit të STIKK tha se gjatë 5 viteve të kaluara KOSICT është krijuar dhe zhvilluar si konferenca më e madhe regjionale, qëllimi i së cilës është adresimi dhe fokusimi te rëndësia e teknologjisë digjitale.

Ai tha se gjatë kësaj konference të pranishmit do të kenë rastin të njihen me trendet e tregut në këtë fushë, si funksionon financimi i Start UP-ve, edukimi në ICT dhe krijimi i kontakteve ndërmjet pjesëmarrësve përgjatë dy ditëve sa zgjasin punimet. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)