Toshiba, del televizori i parë 3D pa syze
Tokio, 5 tetor - Pas shumë premtimeve, më në fund mbërrin edhe prezantimi final. Toshiba ka ngritur më në fund siparin e televizorit të parë në botë me pamje tre dimensionale pa nevojën e përdorimit të syzeve.
I prezantuar në panairin e elektronikës Ceatec, që po zhvillohet në Tokio, aparati do të mbërrijë në fund të vitit, por vetëm në tregun japonez, në dy formate të vegjël dhe me çmime shumë të larta: rreth 2100 euro për modelin 21 polsh dhe gjysma për atë 12 polsh.
Për të pasur çmime të përballueshme dhe formate më të mëdhaja, kompania japoneze ka deklaruar se duhet të pritet edhe një tjetër vit.