Telekomi i Kubës nënshkruan kontratë me Google
Havana, 13 dhjetor - Kompania shtetërore e telekomunikacionit e Kubës (ETECSA) ka nënshkruar një marrëveshje me gjigantin amerikan të internetit Google për të përshpejtuar qasjen në përmbajtjen në internet të Google-it.
Marrëveshja do t'i lejojë telekomit kuban të përdorë shërbimin "Global Cache" të Google, që do të thotë se informacioni mund të ruhet në nivel lokal, duke e bërë më të lehtë marrjen e tij.
Në vitin 2014, "Google" paraqiti një sërë produktesh në Kubë, që më parë ishin të bllokuara për shkak të sanksioneve të SHBA-së.
Në fillim të këtij viti gjiganti i kërkimit në internet hapi një qendër teknologjie në kryeqytetin kuban Havanë, si pjesë e nismës së Shtëpisë së Bardhë për të zgjeruar përdorimin e internetit në Kubë.