Teknologjia robotike bën hapa të reja përpara
SHBA, 8 nëntor - Bota është e mbushur me punë të rrezikshme dhe të pakëndshme të cilat mund të bëhen vetëm duke përdorur robotët.
Në këtë mënyrë, në të ardhmen, një robot mund të gjejë një bombë të fshehur, ose të ndihmojë një person me aftësi të kufizuara të zgjedhë një këmishë dhe ta mbërthejë atë.
Disa nga arritjet më të fundit për makinat-robot, u paraqitën në një panair në Denver të shtetit Kolorado:
Në ditët e sotme, mjetet robotike si fshesa elektrike Roomba, janë më të zakonshme se çmendojmë ne.
Ne donim të prodhonim diçka të thjeshtë që njerëzit ta përdorin çdo ditë. Kjo ishte ajo që na frymëzoi të ndërtonim Roomba-n, thotë Helen Greiner, bashkëthemeluese e kompanisë i-Robot. Kjo kompani prodhon gjithçka, që nga fshesa elektrike deri tek robotët për kontrollin dhe çmontimin e bombave që shumë shpejt mund të bëhen pjesë e trupit tonë.
Robotët mund të inkuadrohen në trupin e njeriut, për të zëvendësuar një krah apo këmbë të humbur gjatë shërbimit në ushtri, aksidente të tjera apo sëmundje.
Robotët e prezantuar në kuvendin përvitshëm të Shoqatës Ndërkombëtare të Makinave Robotike ishin kryesisht për përdorim ushtarak. Por presidenti i kësaj shoqate Majkëll Toskano thotë se përdorimi e këtyre makinave po rritet.
Pavarësisht nëse bëhet fjalë për zjarrëfikësit, ekipet e ndihmës së shpejtë, apo ekipet që merren me fatkeqësitë natyrore, sistemet robotike rrisin aftësitë e njeriut për kryerjen e një misioni duke shtuar një element tjetër tek duart, sytë dhe veshët e tij.
Makinat me telekomandë mund të shpërthejnë bombat ose minat e vendosura në tokë. Edison Hudson nga kompania i-Robot thotë se disa robotë mund të lundrojnë dhe monitorojnë ndotjen e oqeanit.
Mund ti vendosim në oqean dhe ata mund të lundrojnë për tetë ose nëntë muaj dhe mbledhin të dhëna.
Në kuvend, agjencia e qeverisë amerikane për projekte të avancuara kërkimi që njihet me emrin DARPA, prezantoi një robot njeri të ndërtuar me teknologjinë më të sofistikuar. Robert Mandelbaum është menaxher i këtij projekti.
DARPA ka një histori të pasur me zbulimin e gjërave si Arpanet, i cili ishte parardhësi i internetit në vitet 1960, raketave Saturn 5, dhe avionëve të padukshëm.
Njeriu robot i kësaj agjencie drejtohet nga një program që quhet Manipulimi Robotik Autonom ose ARM. Në vend që të drejtohet nga një telekomandë, ARM mund të shikojë disa blloqe, mund të identifikojë modele të veçanta, dhe mund ti lëvizë ato në një vend tjetër. Zoti Mandelbaum thotë se ende ka shumë sfida.
Marrja e një çante, zbërthimi i zinxhirit të saj, kontrolli brenda çantës pa patur mbështetje vizuale dhe gjetja e një objekti brenda çantës janë veprime jo të lehta.
Në këtë mënyrë, në të ardhmen, një robot i agjencisë DARPA mund të gjejë një bombë të fshehur, ose të ndihmojë një person me aftësi të kufizuara të zgjedhë një këmishë dhe ta mbërthejë atë.
Për të avancuar këtë teknologji, agjencia ka në plan të lejojë publikun të krijojë një program softueri për projektin ARM, pastaj përmes internetit të shikojë një model të njeriut robot duke kryer këto funksione. Ekspertët thonë se kjo është një nga mënyrat se si njeriu mund të bëjë arritje të mëdha.