Teknologjia në shërbim të edukimit të personave me dëmtime në zhvillim
Pejë, 28 maj - Mësimdhënës dhe drejtues nga institucionet e Sllovenisë, Kroacisë Bosnjës, Serbisë, Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, kanë kërkuar më shumë mbështetje nga qeveritë e tyre për tu ofruar të verbërve qasje në teknologjinë informative, e cila është shumë e shtrenjtë por e lehtëson jetën e tyre.
Në Pejë më 27 dhe 28 maj është mbajtur konferenca dyditore ndërkombëtare për edukimin të fëmijëve me dëmtime në zhvillim, në të cilën kanë marrë pjesë institucione dhe përfaqësues nga Institutet dhe qendrat burimore nga të gjitha shtetet e rajonit.
Konferenca ka pasur për tematikë shfrytëzimin e teknologjisë informative ndihmëse për edukimin e fëmijëve me dëmtime në zhvillim, krijimin e mundësive të përbashkëta për përmirësimin e mësimdhënies në këto shtete dhe qasjen në mjetet e teknologjisë në përmirësim të kushteve në këtë komunitet.
Mësimdhënës dhe drejtues nga institucionet e Sllovenisë, Kroacisë Bosnjës, Serbisë, Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, në dy vitet e kaluara kanë krijuar një asociacion rajonal të shkollave me nxënës të verbër, që është baza e organizimit edhe shkencor në këtë sektor.
Shtatë nga këta drejtorë nga shtete e ndryshme në takimin në Pejë bashkë me stafin e qendrave të tyre kanë kërkuar më shumë mbështetje nga ministritë e vendeve të tyre për mbështetjen e edukimit të personave me nevoja të veçanta.
Teknologjia informative për aftësinë e kufizuar është shumë më e shtrenjtë, dhe nuk mund ta aplikojmë atë pa mbështetje financiare më të madhe nga institucionet thotë Xhavit Kastrati, drejtor I QBMK Xheladin Deda nga Peja, që ishte organizator i konferencës bashkë me Ministrinë e Arsimit.
Kemi përvoja dhe probleme të ngjashme në vendet tona, dhe po kërkojmë rrugë të ngjashme për zgjidhjen e situatave në mënyrë që të ofrojmë shërbime sa më të mira për nxënësit tonë thotë Katjusha Koprivnikar nga Instituti për nxënës të verbër nga Lubjana. Edhe kolegu i saj malazez Zoran Boshkoviq thotë se problemi i mirëmbajtjes dhe riparimit të pajisjeve për të verbër është shumë i vështirë edhe në mungesë të kuadrit për mirëmbajtje dhe riparim të pajisjeve, përfshirë printerët që shtypin në braille për të verbër, makinat e shkrimit për braille dhe një varg pajisjeve tjera zmadhuese për personat pa shikim dhe me dëmtime pamore.
Sektori i teknologjisë informative është zhvilluar shumë në dekadat e fundit, duke përfshirë edhe printerët tredimensionale, kamerat e zgjuara për të verbër, lexuesit akustikë dhe të tyjerë mjetë ndihmëse, që kanë kosto shumë më të lartë sesa pajisjet standarde.
Në rekomandimet e konferencës është thënë se kjo është një arsye shtesë që edhe institucionet e shteteve të tyre të shtojnë përkrahjen në mënyrë që sa më shumë teknologji të futet në përdorim, në mënyrë që të sado pak të lehtësohet edhe shkollimi dhe kushtet e jetesës dhe integrimit të personave me dëmtime në zhvillim.