Të ardhurat Apple pritet të jenë më të ulëta për shkak të koronavirusit
New York, 18 shkurt - Gjiganti i pajisjeve inteligjente "Apple" ka bërë të ditur se të ardhurat e kompanisë pritet të jenë më të ulta nga parashikimet në tre muajt e parë të vitit 2020 për shkak të shpërthimit të koronavirusit të ri në Kinë.
Kompania njoftoi se pas epidemisë, "Apple" u detyrua të mbyllë fabrikat dhe disa dyqane në Kinën e goditur nga virusi, situatë e cila përkohësisht do të kufizojë furnizimin global të telefonave iPhone.
"Apple" shpalli 91.8 miliardë dollarë të ardhura në periudhën tetor-dhjetor ndërsa për tre muajt e parë të vitit 2020 parashikoi të ardhura prej 63-67 miliardë dollarë.
"Puna ka filluar të vazhdojë në të gjithë vendin, por ne po përjetojmë një kthim të ngadalshëm në kushte normale nga ajo që kishim parashikuar", thekson "Apple".
Përveç furnizimit global të ngushtuar, shitjet e telefonave iPhone po ashtu u prekën nga koronavirusi i ri, pasi kërkesa për pajisje "Apple" shënoi ulje në Kinë shkaku i dyqaneve të mbyllyra.
"Si rezultat, nuk presim përmbushjen e udhëzimeve të të ardhurave që kemi dhënë për tre mujorin e marsit për shkak të dy faktorëve kryesorë", tha "Apple".
Kompania theksoi se po rihap dyqanet e saj gradualisht, duke shtuar se efektet e mungesës së furnizimit të pajisjeve do të jenë të përkohshme në të ardhurat globale të kompanisë.
Koronavirusi i ri, tashmë zyrtarisht i njohur si COVID-19, për herë të parë u shfaq në muajin dhjetor në qytetin kinez Wuhan të provincës Huberi.
Deri më tani, ky virus ka shkaktuar mbi 1.800 të vdekur dhe rreth 72 mijë raste të tjera të konfirmuara.
Pas sëmundjes fatale, pushimet e Vitit të Ri kinez në disa qytete u zgjatën nga 31 janari deri në mes të shkurtit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli emergjencë ndërkombëtare shpërthimin e koronavirusit të ri.