"Sytë e internetit", një program që shmang vjedhjet në Internet
Londër, 23 prill - Kamlesh Patelit, pronar i një dyqani ushqimesh në Londër, i ka ardhur në majë të hundës me hajdutët që vënë në shënjestër dyqanin e tij.
Megjithëse ka vendosur kamera, ai gjithsesi nuk arrin ti shohë të gjithë ata që vjedhin. Kështu që kur dëgjoi për Sytë e Internetit, ai menjëherë përfitoi nga rasti të bëhej një nga klientët e tij të parë.
Ne kemi gjashtë vetë që punojnë këtu, por megjithatë na duhej dikush që të ruante dyqanin sepse ne nuk mund ta kemi nën vëzhgim 24 orë në ditë. Për ne vjedhjet janë problem i madh. Kështu tani e dimë të paktën që dikush po e ruan dyqanin. - thotë zoti Patelit
Ideja është e thjeshtë. Imazhet nga kamerat e dyqaneve në gjithë Britaninë, vendosen në internet. Vëzhgues vullnetarë, si Robert Stivenson, mund të hyjnë në faqe dhe të shohin se çpo ndodh. Ai thotë:
Nëse shoh ndonjë problem, unë shtyp një buton dhe brenda disa sekondash përdoruesi i kameras njoftohet. Unë nuk i shoh më pamjet e kameras kur kjo ndodh. Por një krim i mundshëm mund të parandalohet në momentin që ndodh. Kështu që unë mendoj se ajo që ndodh është shndërrimi i kameras së vëzhgimit nga një instrument pasiv në diçka që është proaktive, një mjet sigurie i menjëhershëm.
Deri tani, Sytë e Internetit ka mbi 3 mijë vullnetarë. Ata që janë më vigjilentë marrin shpërblime në para çdo muaj në bazë të numrit të krimeve që kanë diktuar.
Kritikë si Daniel Hamilton nga organizata Big Brother Watch, thotë se është një ndërhyrje e padrejtë në jetën private:
Problemi që kemi me Sytë e Internetit është që është një parajsë e gjerë e atyre që duan të përgjojnë, të cilët mund të futen në faqen e internetit nga shtëpia, duke parë pjesëtarë të pafajshëm të publikut që po bëjnë pazaret e tyre. Ne mendojmë se kjo është e gabuar.
Por themeluesi i faqes Sytë e Internetit Toni Morgan thotë se shërbimi i tij thjesht po ndihmon pronarët e dyqaneve të mbijetojnë.
Këto kamera janë vendosur në dyqane. Askush nuk shqetësohet për to nëse nuk shikohen. Ne thjesht po i vëzhgojmë duke ulur kështu çmimet e ushqimeve. Sepse në fund të fundit nëse këta pronarë nuk humbin 10 për qind të mallrave që vidhen, ata mund ti ulin çmimet. - thotë zoti Morgan
Shikuesit nuk e marrin vesh vendin e saktë të dyqaneve që ata po vëzhgojnë.
Dhe ata nuk lejohen që të shohin pamje nga lagjia e tyre, për të mos lejuar përgjimin e fqinjëve.
Por ligjet e rrepta të privacisë në shumë vende po e pengojnë Sytë e Internetit të përhapet në gjithë botën.
Megjithatë, Morgan sapo është kthyer nga nënshkrimi i një marrëveshjeje për ta shpërndarë këtë shërbim në Kanada. Ai shpreson që të vijë një ditë që Sytë e Internetit të përdoret nga një ushtri vullnetarësh në gjithë botën:
Ne jemi të pranishëm në gjithë Evropën, në çdo vend të Komisionit Evropian. Dhe tani po përpiqemi të vendosemi në Amerikë, apo në Argjentinë. Ne tani mund të shkëmbejmë informacion me Argjentinën.
Kamlesh Patel është i lumtur të paguajë 120 dollarë në muaj për shërbimin. Ai thotë:
Që kur filluam ta provojmë, ka pasur disa raste që kemi pasur fat dhe i kemi kapur njerëzit duke vjedhur. Dy prej tyre madje janë ndjekur penalisht.
Sytë e Internetit do të bëjë të mundur së shpejti që detektivët amatorë të dallojnë krime mijëra kilometra larg, një shembull i botës së zvogëluar nga teknologjia.
Por aftësi të tilla ka mundësi ta intensifikojnë debatin për përfitimet apo humbjet nga sakrifikimi i sigurisë në kurriz të privacisë.