Sulmi kibernetik godet 150 vende të botës
New York, 15 maj - Sulmi kibernetik që goditi sistemet kompjuterike të shumë kompanive private dhe agjensive qeveritare në mbarë botën mendohet se është fashitur momentalisht.
Megjithatë, Europol-i paralajmëroi se sulmi mund të ripërtërihet nesër, ndërsa deri tani përllogaritet se ka bllokuar kompjuterat e mbi 200 mijë personave në 150 vende të botës.
Sulmi kibernetik shpërndau një kod dëmtues në mbarë botën, duke goditur ndër të tjera edhe rrjetet kompjuterike të spitaleve, bankave dhe agjensive qeveritare. Tashmë mendohet se sulmi do të kishte marrë përmasa shumë më të mëdha, nëse nuk do të ishte ndaluar rastësisht nga dy të rinj.
Mësohet se një pjesë e madhe e këtij sulmi u shmang nëpërmjet bashkëpunimit ndërmjet një 22-vjeçari britanik, i specializuar për programimin kompjuterik, si dhe një inxhineri 20-vjeçar amerikan i specializuar për sigurinë kibernetike.
Qendra e qeverisë britanike për sigurinë kibernetike e përshëndeti publikisht 22-vjeçarin britanik, të njohur në internet vetëm nëpërmjet emërtimit MalwareTech, i cili pikasi rastësisht mekanizmin që ndërpreu shpërndarjen e mëtejshme të programit keqdashës.
Mendohet se kjo ndërhyrje mund tu ketë kursyer miliona dollarë kompanive private dhe atyre qeveritare, si dhe parandaloi përhapjen masive në SHBA dhe vende të tjera.
Megjithë këtë rastësi fatlume, deri në ato momente sulmi pati gjunjëzuar ndërkohë pjesën më të madhe të sistemeve spitalore britanike, si dhe sistemet kompjuterike të shumë kompanive private dhe agjensive shtetërore në vende si SHBA, Rusi, Ukrainë, Brazil, Spanjë, Indi, Kinë etj.
Drejtori i agjensisë policore të Bashkimit Evropian, Europol, tha se sulmi ishte i një niveli të paprecedent dhe se do të duhet të zhvillohet një hetim kompleks ndërkombëtar për të identifikuar autorët.
Programi keqdashës shfrytëzon një dobësi të programit të vjetër operativ Windows, dobësi e cila mendohet se ishte identifikuar nga Agjensia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së dhe përdorur në programe që u vodhën dhe u nxorën në internet.