Studim, pasojat e përdorimit të celularit
SHBA, 2 mars - Sipas një studimi të ri, një bisedë një orëshe me telefon celular shkakton rritje të aktivitetit biokimik tek përdoruesi.
Studimi nuk thotë nëse kjo është gjë e mirë apo e keqe për shëndetin, por ai ka ringjallur debatin mbi sigurinë e telefonave celularë dhe ka bërë që të ndërmerren studime të tjera mbi efektet e telefonit celular tek truri.
Për shumicën prej nesh, është vështirë të mendohet jeta pa telefon celular. Telefonat celularë janë të pranishëm gjithandej. A ekziston mundësia që përdorimi i tyre të përbëjë rrëzik për shëndetin?
Dhjetëra vite studime mbi radioaktivitetin e celularëve që mund të shkaktojë tumore nuk kanë sjellë rezultate përfundimtare. Kompanitë e telefonave celularë ngulin këmbë se përdorimi i tyre nuk përbën problem.
Studimi i ri i Insitutit Kombëtar të Shëndetësisë nuk i ka dhënë zgjidhje debatit, por ofron disa të dhëna që mund të studiohen më tej.
Në studim, mjekja Nora Volkow dhe kolegët e saj në Institutin Kombëtar të Drogave ka testuar 47 persona të shëndetshëm gjatë një periudhe një vjeçare.
Pjesëmarrësit kanë vendosur celularin në veshin e djathtë dhe të majtë. Njëri nga celularët mbahej i aktivizuar por volumi i ishte ulur fare, kurse tjetri ishte fikur. Pastaj pjesëmarrësit u testuan me celularë të fikur.
Ndërkohë që personat mbanin celularin në vesh, truri i tyre skanohej duke përdorur teknika të sofistikuara. Volkow thotë se truri i skanuar tregonte rritje të aktivitetit metabolik në qelizat që ishin më afër celularit.
Pjesa e djathtë e trurit që ishte afër antenës tregonte rritjen më të madhe të metabolizmit në krahasim me kohën kur celulari ishte i fikur. Megjithëse radio frekuencat që vijnë nga teknologjia e celularit janë më të dobëta, ato janë të afta të aktivizojnë trurin e njeriut që ai të prodhojë efekt.
Efekti i kësaj ishte një rritje prej 7 përqind në një ritëm në të cilin qelizat e trurit më afër antenës së aktivizuar të celularit shëndrronin sheqerin në energji, një aktivitet normal. Dr. Giuseppe Esposito, ekspert i mjekësisë bërthamore, thotë se studimi tregon qartë se sinjalet e telefonave celularë mund të aktivizojnë qelizat e trurit.
Studimi nuk sjell dëshmi se telefonat celularë mund të dëmtojnë trurin, ai vetëm tregon se ata mund ta stimulojnë trurin.
Shumë studime kanë eksploruar lidhjen e mundshme mes përdorimit të telefonave celularë dhe kancerit të trurit. Skeptikët thonë se efektet mund të ndihen pas 5, 10 ose 15 vitesh.
Sipas Dr. Espositos, studimet më të mira shkencore ende nuk janë bërë.
\"Ne duhet të bëjmë studime epidemiologjike të një shtrese të popullsisë që përdor telefonat celularë dhe pastaj të shohim se çfarë ndodh tek ata me kalimin e viteve.
Ekspertët shpresojnë se studimi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë do të ngjallë interisim të ri për studimin e sigurisë së celularëve.
Ky është një studim interesant dhe me siguri do të nxisë studime tjera.
Ekspertët thonë se ndërkohë që priten studime të tjera, njerëzit mund të pakësojmë rrëzikun për shëndetin duke përdorur kufje, mbajtjen e telefonit larg trupit, dhe kufizimin e bisedave të gjata telefonike.