SpaceX fiton kontratën për dërgimin e njeriut në Hënë
Florida, 17 prill - NASA i akordoi miliarderit Elon Musk të kompanisë SpaceX një kontratë prej 2.9 miliardë dollarësh për të ndërtuar një anije të hapësirës që do të dërgojë astronautët në Hënë, duke anashkaluar kompaninë Blue Origin të miliarderit Jeff Bezos dhe kontraktorin e mbrojtjes Dynetics Inc.
Njoftimin e bëri të premten gazeta Washington Post.
Oferta e kreut të Teslës, Musk, rezultoi më e mirë se sa ajo e themeluesit të firmës Amazon, Jeff Bezos, i cili kishte krijuar partneritet me kompanitë Lockheed Martin, Northrop Grumman dhe Draper, thuhet në njoftimin e Uashington Postit.
Në fillim të kësaj jave, kompania e raketave SpaceX njoftoi se kishte grumbulluar rreth 1.16 miliardë dollarë për financimin e projektit.
Vitin e kaluar, SpaceX, Blue Origin dhe Dynetics arritën një kontratë me NASA-n për të ndërtuar sistemet e dërgimit të njeriut në Hënë deri në vitin 2024, një afat i përshpejtuar, i caktuar nga Shtëpia e Bardhë në suazën e planeve “Nga Hëna në Mars” të agjencisë hapësinore.
Ndryshe nga ulja e anijes Apollo në Hënë mëse 50 vjet më parë, NASA po përgatitet për një prani afatgjatë në satelitin e Tokës, që agjencia thotë se përfundimisht do të lejojë që njerëzit të shkojnë në Mars.
Për realizimin e këtyre planeve, NASA po mbështetet mjaft te kompanitë private, mbi bazën e vizioneve të përbashkëta për eksplorimin e hapësirës.