Sonda Voyager shkëputet nga sistemi ynë diellor
Florida, 14 shtator - Për herë të parë, një objekt fluturues i ndërtuar nga njeriu ka dalë nga sistemi ynë diellor dhe është futur në hapësirën e thellë, ndër-yjore.
NASA konfirmoi dje se sonda hapsinore Voyager 1, e hedhur në hapësirë në vitin 1977, është 19 miliardë kilometra nga dielli dhe ka hyrë në një mjedis të panjohur dhe të paeksploruar më parë.
NASA tha se sonda kishte dalë nga sistemi ynë diellor që vjet, por u desh gjithë kjo kohë që ky informacion të arrinte në Tokë.
Shkencëtarët e NASA-s e cilësojnë këtë si një ndër arritjet më të shënuara teknologjike në historinë e shkencës.
Sonda Voyager do të studiojë tani pjesë të gjithësisë të paeksploruara më parë. Nëse çdo gjë shkon sipas parashikimeve, Voyager do të dërgojë hollësi të zbulimeve të saj deri në vitin 2025, kur pritet ti mbarojë karburanti bërthamor.