Sonda robotike evropiane ulet në kometë
Drejtori i Agjencisë, Thomas Reiter tha se kjo arritje historike është një përpjekje për tiu përgjigjur pyetjeve për origjinën e universit.
Sonda Philae u ul sot mbi kometën e njohur si 67P Churyumov-Gerasimenko, shtatë orë pasi u shkëput nga anija e hapësirës Rosetta, që e transportoi sondën deri skajet më të largëta të sistemit diellor.
Sonda do të kryejë një seri eksperimentesh shkencore për eksplorimin e përbërjes së kometës.
Kontrollorët në qendrën e operacioneve të Agjencisë Hapësinore Evropiane në Gjermani kishin konfirmuar se sonda Philae ishte shkëputur me sukses nga anija Rosetta sot paradite për të filluar zbritjen e saj në drejtim të sipërfaqes së Kometës 67P.
Me që kometa që udhëton më shumë se 400 milionë kilometra larg Tokës, u deshën disa orë para se kontrollorët të merrnin konfirmim se sonda u ul.
Anija Rosetta 1.7 miliardë dollarëshe bëri takimin e parë me kometën në gusht. Rosetta do të shoqërojë Kometën 67P deri vitin e ardhshëm dhe do ta vëzhgojë atë ndërsa i drejtohet diellit.
Fotografitë e dërguara në Tokë nga Rosetta tregojnë shkëmbinj të thepisur dhe shtresa akulli në sipërfaqen e kometës.
Shkencëtarët shpresojnë se Rosetta e emëruar pas gurit që ndihmoi në kuptimin e gjuhës heroglife të egjiptianëve të lashtë do të ofrojë më shumë të dhëna për mbetjet shkëmbore dhe të grira nga krijimi i sistemit diellor.