Snapchat arrin vlerën 35 miliardë dollarë
New York, 4 mars - Kompania Snap që ka krijuar aplikacionin e famshëm të mesazheve Snapchat bëri një hyrje të bujshme të enjten në Wall Street, duke konfirmuar urinë e investitorëve për ekonominë e internetit pavarësisht dyshimeve mbi rentabilitetin e sektorit.
Aksionet, ku vlera baze ishte 17 dollarë, 45 minuta pas hyrjes në bursë u rritën me 47 për qind, duke kapur vlerën e 24,99 dollarëve për aksion.
Kompania e krijuar në vitin 2011 me emrin Picaboo dhe e bërë e famshme nga aplikacioni me mesazhe e saj jetëshkurtër dhe filtrat fotografikë, vlerësohej rreth 35 miliardë dollarë, duke i shndërruar dy krijuesit e saj të rinj, Evan Spiegel dhe Bobby Murphy në multimiliarderë pa mbushur akoma 30 vjeç.
Kompania që është pagëzuar me emrin Snap në shtator, rikthen mitin e success story të ekonomisë së internetit, duke shkaktuar entuziazëm tek investitorët dhe duke rritur frikën për një flluskë ekonomike teknologjike.
Por kompania e re duhet të vërtetojë se mund ta bëjë rentabël aplikacionin e saj shumë të pëlqyer në moshat 18-25 vjeç.
Shumë ekspertë të sektorit dyshojnë për perspektivat e Snap në një mjedis shumë konkurrues, ku disa nga rivalët e saj si Facebook apo Google kanë në dispozicion kapacitete financiare shumë më të larta.