Sindikata e Pavarur e RTK ngritë shqetësimet e saj te OSBE
Prishtinë, 24 shtator -Kryesia e Sindikatës së Pavarur të RTK-së, në përbërje të kryetarit, Fadil B. Hoxha dhe nënkryetarëve, Flora Durmishi e Arsim Halili, janë takuar sot me përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së në Kosovë, përkatësisht me drejtoren e Departamentit të Demokratizimit, Znj, Marta Onorato, shefen e sektorit të medieve, Samra Campara dhe këshilltarin për medie, Senad Kamenica.
Në këtë takim, sindikalistët e RTK-së njoftuan autioritetet e këtij misioni për gjendjen e përgjithshme në RTK, në aspektin financiar dhe programor si dhe për rastet e censurës, me të cilat po përballen gazetarët dhe redaktorët e këtij mediumi, për të cilat, sindikata pranon ankesa në vazhdimësi.
Përfaqësuesit e OSBE-së u njoftuan në detaje për shkeljet e të drejtave të punëtorëve, mosrespektimin e Ligjit të Punës dhe të vendimeve të Inspektoratit të Punës, moszgjidhjen e statusit të rreth 60 punëtorëve që prej më shumë se 10 vjetësh mbahen pa kontrata dhe nën presion, në kohën kur në RTK vazhdojnë punësime të pakontrolluara dhe pa planifikim financiar.
Kryesia e Sindikatës njoftoi zyrtarët e OSBE-së për presionin që menaxhmenti i RTK-së po u bën sindikalistëve, deri në ndalimin e hyrjes në objektet e RTK-së dhe pamundësimit të ushtrimit të aktiviteteve sindikale. Sindikalistët theksuan se presionet shantazhet dhe ndjekjet janë shtuar sidomos pasi kryetari i RTK-së Fadil B. Hoxha, është ftuar në cilësinë e dëshmitarit nga Njësia për krime ekonomike dhe korrupsion, për të dëshmuar rreth hetimeve që po zhvillohen në RTK.
Sindikata e RTK-së kërkoi nga OSBE mbështetje për lejimin e ushtrimit të aktiviteteve sindikale në pajtim me ligjet në fuqi dhe konventat ndërkombëtare si dhe për mbrojtjen e gazetarëve dhe redaktorëve, me qëllim të ushtrimit të profesionit të tyre në mënyrë të lirë dhe të pavarur.
Përfaqësuesit e OSBE-së theksuan se po e vëzhgojnë me vëmendje situatën në RTK. Ata theksuan se do t`i trajtojnë seriozisht, shqetësimet e ngritura nga sindikalistët e RTK-së.