Shtëpia e parë nga printeri 3-D
Amsterdam, 3 qershor - Arkitektët pretendojnë se së shpejti do të jenë në gjendje të ndërtojnë një shtëpi të tërë thjesht duke përdorur një printer 3 dimensional.
Teknologjia është ende relativisht e re, por ajo është tashmë duke u përdorur në fushën e mjekësisë për të krijuar proteza dhe në industri për të ulur koston e pjesëve me saktësi të lartë.
Tani, projektuesit në Holandë po planifikojnë të krijojnë një ndërtesë të plotë.
Nëse planet nuk ndryshojnë, kjo është pamja që do të ketë shtëpia e parë e krijuar me teknologjinë e shtypjes tre dimensionale, 3D.
Do të quhet Shtëpia Peizazh. Forma e ndërtesës së propozuar bazohet në atë që quhet rripi Mobius dhe do të jetë një shtëpi dy-katëshe e përthyer pambarimisht.
Ajo është ideuar nga arkitekti holandez Janjaap Ruijssenaars që prezantoi shtëpinë e tij eksperimentale në konventën Material Experience, një takim gjatë të cilit arkitektët mund të diskutojnë dhe të paraqesin teknikat më të reja që përdoren në fushën e tyre.
Procesi i shtypjes 3D është përshtatur me shpejtësi në industri të ndryshme, duke u përdorur për të krijuar proteza, madje edhe për zëvendësim të veshit.
Zoti Ruijssenaars beson se tani teknologjia ka përparuar mjaftueshëm për të krijuar ndërtesën e parë me përmasa të plota.
Për të realizuar shtëpinë e projektuar prej tij me metodat tradicionale të ndërtimit, ndërtuesve do tu duhej të derdhnin beton në kallëpe druri të ndërtuara posaçërisht duke i hequr ato pasi betoni të zinte vend.
\"Me shtypjen 3D mund të krijohen format që dëshirohen, pa pasur nevojë që fillimisht të përgatiten kallëpet. Kjo është arsyeja pse kjo nuk është vetëm një teknikë interesante estetikisht duke patur parasysh faktin që mund të shohësh paraprakisht dendësinë e objektit por është gjithashtu edhe ekonomikisht më mirë, për shkak se kursehet kohë dhe energji\".
Teknologjia e shtypjes me përmasa të mëdha që zoti Ruijssenaars do të përdorë është krijuar nga Enrico Dini.
Sipas z.Dini, ashtu si shtypja me dy dimensione mbështetet tek prodhimi me pixels, shtypja 3D krijohet nga pjesët voxel. Secili nga voxel-at e kësaj teknologjie janë pesë milimetra të lartë dhe i ngjajnë disa kubeve të vogla të cilat do të ndikojnë në cilësinë e pjesës së jashtme të ndërtesës.
Ky është një printer 3D me përmasa 5 metra me 3 metra, por kompania e zotit Dini, D-Shape, ka në plan të prodhojë një printer të ri gjigant tre dimensional, që të mund të ndërtojë Shtëpinë Peisazh.
Në printer hidhen pjesë shkëmbore ose rërë, të cilat më pas përpunohen me elementë lidhës. Çdo lloj rëre mund të kthehet kështu në një material të ngjashëm me mermerin, që ka një rezistencë më të lartë se betoni. Kjo do të thotë se nuk do të ketë nevojë për përdorim të hekurit, për të përforcuar strukturën.
\"Po përdorim shtypjen 3D si bazë për të krijuar forma pa patur nevojë për struktura hekuri dhe prej andej të mund të vazhdojmë me teknikën e ndërtimit tradicional\", thotë Enrico Dini.
Teknologjia e zotit Dini nuk përfshin shtypjen e pjesëve të brendshme si dyshemeja. Kjo teknikë përdoret për të krijuar një strukturë bosh e cila do të përforcohet me beton. Printeri 3D do të shtypë kolona që do të vendosen vertikalisht, por nuk mund të shtypë pjesë horizontale, si trarët.
Matematikani dhe artisti Rinus Roelofs ndihmoi arkitektin Ruijssenaars në projektimin e shtëpisë me formë të bazuar tek rripi Mobius. Disa skulptura të tij janë ndërtuar duke përdorur printerin D-Shape.
\"Gjëja më e rëndësishme është se mund të realizosh çfarëdo forme që dëshiron dhe nuk ka rëndësi se sa komplekse është ajo formë. Kur përdoret shtypja 3D, përfitohet liri shtesë në përgatitjen e projekteve\".
Janjaap Ruijssenaars shpreson që kur ta përfundojë strukturën e tij revolucionare ajo të mund të shihet nga të gjithë. Ai beson se projekti do të përfundojë brenda vitit 2014.