26 Dhjetor 2024

Shpejt.me lidh bizneset me klientë

Prishtinë, 11 tetor  - E gjitha ka filluar një natë në garazhin e shtëpisë familjare të Edon Bajramit, njërit prej katër pjestarëve të ekipit Shpejt.me, kur pas orëve të gjata të punës, ata ishin të uritur dhe përtonin të dilnin për të blerë ushqim.

Ca muaj më pas përtesa e tyre prodhoi një aplikacion që u mundëson përdoruesve të porosisin ushqim duke u lidhur me ofertën e atyre restorantëve që janë në afërsi. Lidhja me restorante bëhet duke u bazuar në GPS-in e klientëve kurse porosia realizohet duke shfrytëzuar rrjetin wireless.

“Ideja ka lindur rastësisht një natë vonë, nuk kena pasur mbushje në telefon dhe kena dashtë me hangër por kena pritu të thërrasim dhe të porosisimin, e gjitha ndodhi në nëntor të vitit të kaluar”, tha Gëzim Berishaj nga Shpejt.me duke shtuar se “kështu na ka lindur ideja pse mos me qenë një aplikacion që të mundëson të porositësh, të ta sjellin ushqimin te shtëpia, pa pasur nevojë me thirrë askënd”.

Sipas Berishajt porosia e ushqimit bëhet me gjithsej pesë klikime. “Hapi i parë e hap aplikacionin, hapi i dytë është me zgjedh ushqimin, hapi i tretë është me zgjedh përbërësit, hapi i katërt me e vendos në shportë dhe hapi i pestë është me e kompletu porosinë”, shton Berishaj.

Gjatë prezantimit të Shpejt.me në Innovation Centre Kosovo Darsej Rizaj pjestar tjetër i ekipit tha se deri tani përmes aplikacionit janë realizuar 241 porosi derisa asnjëra nuk rezultoi si e rrejshme. “Gjithsej jane bërë 241 porosi të suksesshme, kemi investuar në sistem që të parandalojmë çdo porosi të rrejshme dhe e kemi arritur këtë me sukses deri me tani ”, tha Rizaj.

Ndërsa Safet Rama menaxher i inkubatorit të Innovation Centre Kosovo tha se Shpejt.me është një nga 5 ekipet e reja të pranuara në inkubatorin e ICK-së.

“Shpejt.me e ka një ide biznesi që ka mundësi të mira zhvillimi dhe do ketë mbështetjen e Inkubatorit për të realizuar idenë e tyre”, tha Rama duke shtuar se Shpejt.me në inkubatorin e ICK-së është pranuar në raundin e gjashtë të ftesës publike të ICK-së për ide biznesi.

Aplikacioni Shpejt.me funksionon duke i regjistruar ato restorante që ndodhen në afërsi të klientëve duke shfrytëzuar GPS-in. Shpejt.me mund të shkarkohet përmes Google Play dhe App Store.

Shpejt.me aktualisht ka kontrata me mbi 10 dhjetë restorante, derisa me katër restorante është duke negociuar bashkëpunimin. Shpejt.me synon që përpos në Prishtinë ta ofrojë këtë shërbim në qytetet tjera kosovare dhe në Shqipëri.

Athene Prosjektledelse, Norvegji dhe Shoqata për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (STIKK) në Kosovë, janë themeluesit e ICK-së, ndërsa Crimson Capital LLC Kosovë, është partneri kryesor bashkëpunues. ICK financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)