Shkencëtarët arrijnë të kthejnë dioksidin e karbonit në shkëmb
Prishtinë, 23 gusht - Ndërsa qytetërimi ynë, i cili varet nga lëndët djegëse me origjinë nga fosilet, vazhdon të çlirojë gaze të dëmshëm në atmosferë, shkencëtarët janë në garë për të zbuluar një metodë për të ulur çlirimin e gazit më të dëmshëm, dioksidit të karbonit.
Dioksidi i karbonit mund të kapet dhe të ruhet nëntokë ose të shndërrohet në një shkëmb të padëmshëm. Shpenzimet për këtë teknologji janë të larta, por kostoja e të mos bërit asgjë mund të jetë akoma më e lartë.
Dhjetë vjet më parë, kompania islandeze e energjisë Reykjavik Energy filloi një projekt të quajtur CarbFix, që kishte për qëllim të provonte si dioksidi i karbonit, një nënprodukt i avujve gjeotermikë, mund të kapej dhe ruhej për një kohë të gjatë nën tokë.
“Po përpiqemi të imitojmë atë që bën natyra dhe ta përshpejtojmë si proces”, thotë Edda Aradottir, menaxhere e projektit Carbfix.
Impianti energjitik Hellisheidi është ngritur mbi një vullkan të fjetur, që është ende duke u djegur thellë në brendësi, duke çliruar avull. Ky avull është një burim i qëndrueshëm dhe i lirë energjie; por impianti ka edhe disa lloje gazesh të dëmshëm, përfshirë dioksidin e karbonit.
Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Globale të Kombeve të Bashkuara, çlirimi i dioksidit të karbonit në atmosferë është shkaktari kryesor i ngrohjes globale, gjë që e konfirmojnë edhe vëzhgimet nga agjencia hapësinore amerikane, NASA.
Në impiantin e prodhimit të energjisë Hellisheidi, dioksidi i karbonit kapet, përzihet me ujë dhe dërgohet sërish nën tokë.
“Dioksidi i karbonit tretet në shkëmbinjtë vullkanikë, në një thellësi nga një deri në dy kilometra; aty ndodhin reaksione natyrale, që e kthejnë atë në shkëmb brenda 1 ose 2 vitesh. Pasi është kthyer në shkëmb, dioksidi i karbonit qëndron ashtu për miliona vite”.
Shkencëtarët thonë se po të gjendej një metodë më e lirë për të kapur dioksidin e karbonit, tabani i oqeanit Paqësor në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara, Indi dhe Amerikën e Jugut, mund të ishin vendet ideale për ta ruajtur atë në trajtë shkëmbi.
“Toka e oqeanit është vullkanike. Kështu që, nëse arrijmë të gjejmë teknologjinë e duhur për të injektuar një përzierje të tillë, atëherë do mund të ruanim aty dioksidin e karbonit”.
Agjencia Ndëkombëtare e Energjisë thotë se teknologjitë për të kapur dhe depozituar gazinb karbonik do të luajnë një rol të rëndësishëm në dhjetëvjeçarët që po vijnë.
E gjitha kjo në një kohë kur vendet që prodhojnë naftë po përpiqen të nxjerrin sa më shumë nga burimet e tyre, të cilat po shterojnë dalëngadalë.
Deri më tani, vetëm rreth 27 milionë tonë dioksid karboni kapen dhe depozitohen çdo vit. Në një kohë kur çlirimi global i dioksidit të karbonit për 2014-ën ishte rreth 1,000 bilionë ton.