Shënohet Dita Ndërkombëtare e vajzave në teknologjinë e informacionit
Prishtinë, 26 prill - RIT Kosovo, IPKO Foundation dhe Kosovo United States Alumni Association (KUSA) organizojnë konferencën vjetore "Vajzat në TIK", e cila feston lëvizjen globale për të inkurajuar dhe fuqizuar vajzat për të vazhduar studimet dhe karrierën në fushën e TIK-ut, duke bërë të mundur që vajzat si dhe kompanitë teknologjike të përfitojnë nga zhvillimi i mëtutjeshëm në sektorin e TIK-ut.
Dita e Vajzave në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) u ofron femrave të reja që aspirojnë të përparojnë në fushën e TIK-ut shansin për t'u lidhur me liderë vendorë dhe ndërkombëtarë të TIK-ut, të marrin pjesë në punëtori si dhe të rrjetëzohen me kompanitë e TIK-ut në Kosovë përmes një panairi të punësimit.
Që nga fillimi i saj në 2010, Dita Ndërkombëtare e Vajzave në TIK është mbajtur në mbi 150 vende me qëllim të inkuraimit të grave që në numër sa më të madh të studiojnë lëndët shkencore, teknologjike, inxhinierike dhe matematikore.