Shënohet Dita e Vajzave në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit
Prishtinë, 28 prill - Dita Ndërkombëtare e Vajzave në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) është iniciativë e Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) dhe shënohet në më shumë se 150 shtete të botës.
Dita Ndërkombëtare e Vajzave në fushën e Teknologjisë Informative e Komunikuese (TIK) është nisur në vitin 2010 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimit (ITU), organ ky i Kombeve të Bashkuara përgjegjës për çështjet që kanë të bëjnë me teknologjitë informative e komunikuese.
Ngjarjet e kësaj Dite janë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për nxitjen e më shumë grave për studimin e lëndëve shkencore, teknologjike, inxhinierike, dhe matematikore (STEM).
Kjo iniciativë është një efort global që synon vetëdijësimin dhe fuqizimin e vajzave dhe femrave të reja për të konsideruar studime dhe karrierë në TIK.
Iniciativa shënohet çdo vit në të Enjten e katërt të Prillit duke grumbulluar në një vend akterë të ndryshëm të sektorit të TIK-ut, dashamirë të TIK-ut në përgjithësi si dhe vajza dhe femra të reja në mënyrë që të punohet shtesë në uljen e hendekut gjinor që ekziston në këtë profesion.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik në partneritet me A.U.K, USAID, Fondacionin Ipko, Vajzat në TIK dhe partnerë të tjerë kanë bashkuar forcat për të shënuar këtë ditë me qëllim të me qëllim të ngritjes së vetëdijes për mundësitë e vazjave në sektorin e TIK-ut.
Gjatë ditës do të ketë aktivitete të shumta, duke filluar nga konferenca kryesore ku do të jenë prezent akterë kyç të komunitetit ndërkombëtar dhe vendor, prezantime të CEO-ve të kompanive të suksesshme në sektorin e TIK-ut, panairi i punës si dhe punëtori të ndryshme të mbajtura nga partnerët e ngjarjes.