Shënohet dita botërore për internet të sigurt
Qëllimi i konferencës është ndërgjegjësimi i shoqërisë dhe mobilizimi i institucioneve për koordinim dhe bashkëveprim për avancimin e veprimeve në mbrojtjen e fëmijëve në internet.
Fëmijët në shkollat bashkëpunuese do të përgatisin posterë që adresojnë sigurinë në internet. Këto fotografi do të postohen në rrjetet sociale me hashtagun #SID2016.
Në sheshin Nëna Terezë në qendër të Prishtinës do të vendoset tezga e Qendrës FIT ku do të qëndrojnë pjesëtarë të stafit nga Qendra FIT, që do të shpërndajnë materialet edukative të përgatitura dhe të printuara.
Pjesëtarët e stafit do të identifikohen si Doktorë të Teknologjisë dhe do të ekzaminojnë fëmijët kalimtarë në përdorimin e tyre të teknologjisë.
Ekzaminimi do të bëhet me anë të disa pyetjeve të përgatitura, si: A keni smartphone? Sa kohë kaloni në smartphone? Cfarë rrjete sociale keni të instaluara si aplikacione në telefon? Sa shokë i keni në rrjetet sociale të lartpërmendura?
Pas përgjigjes në këto pyetje jepet një diagnozë për ato pajisje dhe ofrohen këshilla se si të shërohen përdoruesit e pajisjeve teknologjike që nuk i përdorin ato në mënyrën e duhur.
Do të bëhet lansimi i TV animacionit të përgatitur nga Qendra FIT për ta shënuar këtë ditë, që trajton disa nga rreziqet më të zakonshme të internetit, sic është ngacmimi i shokëve të shkollës apo bashkëmoshatarëve me fjalë ofenduese në rrjete sociale. TV animacioni do të lansohet në kanale televizive vendore.