ShBA i kërkon kompensim Phenianit për "Sony"

Washington, 23 dhjetor - Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Koresë së Veriut të hënën të kompensojë "Sony Pictures" për dëmet e shkaktuara nga pirateria ndaj kompjuterave të kompanisë, por Pheniani e ka mohuar përgjegjësinë e vet për këtë ngjarje.
Koreja e Veriut gjithashtu ka propozuar një hetim të përbashkët, gjë që është hedhur poshtë nga Shtëpia e Bardhë.
Po të hënën Pekini shprehu kundërshtimin ndaj vendeve ose individëve që kryejnë sulme kibernetike.
Komentet janë bërë pas njoftimeve se ShBA-ja ka kërkuar ndihmën e Kinës lidhur me incidentin e \"Sony\"-t.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Hua Chunying shprehet:
\"Kina ka qenë gjithmonë kundër të gjitha formave të sulmeve e terrorizmit kibernetik. Ne kundërshtojmë përpjekjet e ndonjë qeverie ose individi për të përdorur objektet në territorin e një vendi tjetër për të kryer sulme kibernetike mbi një vend të tretë. Ky pozicion është konsekuent dhe i qartë. Kina dëshiron të angazhohet në bashkëpunim konstruktiv me bashkësinë ndërkombëtare për sigurinë kibernetike, mbi bazën e respektit dhe besimit të ndërsjellë. \"
Ndërkohë, një ekspert kompjuterash thotë se funksionimi i internetit në Korenë e Veriut është ndërprerë tërësisht.
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti amerikan i Shtetit nuk kanë pranuar të komentojnë nëse qeveria amerikane është përgjegjëse për këtë.