SHBA dhe BE godasin krimin e organizuar në hapësirën kibernetike
Washington, 28 tetor - Zyrtarët e Departamentit amerikan të Drejtësisë thonë se kanë arrestuan 150 persona nën dyshimet për tregtimin e drogave të paligjshme, duke përfshirë opioidet me receta mjeku të falsifikuara dhe kokainë. Rrjeti përdorte pjesën e fshehtë, apo të errët të hapësirës kibenetike.
“Jemi këtu për të ekspozuar ata që përodrin rrjetet e padukshme të internetit për të shitur tableta vrasëse në mbarë botën. Falë bashkëpunimit të organeve ndërkombëtare të ligjit, 150 trafikantë droge, që përdornin hapësirën e errët kibernetike janë arrestuar në disa ve de, përfshirë 65 në Shtetet e Bashkuara", thotë Lisa Monaco, Zëvendës Prokurore e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara.
Arrestime janë bërë në Australi, Britani, Bullgari, Francë, Gjermani, Itali, Hollandë dhe Zvicër. Hetimi 10-mujor i quajtur operacioni “HunTor” që ka marrë nofkën e programeve të koduara kibernetike, rezultoi në sekuestrimin e 243 kilogramëve drogë, përfshirë amfetaminë, kokainë dhe opioide, që kapin vlerën e më shumë se 31 milionë dollarëve.
Hetuesit thanë se ato prodhoheshin kryesisht në laboratorë në Meksikë duke përdorur kimikate të importuara nga Kina. Prokurorët gjithashtu vunë në shënjestër edhe tregtarët e drogës që operonin laboratorë shtëpiak për të prodhuar pilula kundër dhimbjeve.
Agjencia evropiane e rendit, Europoli, bashkëpunoi me ekipin e Departamentit amerikan të Drejtësisë kundër drogave dhe një ekip të posaçëm që lufton krimet në internet. Zyrtarët amerikanë thanë se hetimet vazhdojnë dhe se priten arrestime të tjera.