Samsung prezanton dy ora të mençura në MWC 2014
Seul, 24 shkurt - Samsung ka konfirmuar se do të lansojë dy ora të mençura vetëm gjashtë muaj pas lansimit të Galaxy Gear. Kompania ka njoftuar se dy modelet e saja të reja do të quhen Galaxy Gear 2 dhe Galaxy Gear 2 Neo.
Në mesin e veçorive të reja në këto dy orë të mençura do të jetë sistemi operativ Tizen me procesor dual-core 1GHz, duke zëvendësuar kështu sistemin e kaluar operativ Android. Do të kenë nga 512MB RAM si dhe hapësirë të brendshme nga 4GB.
Aplikacionet për këto pajisje tashmë janë të gatshme nga CNN, BMW, GM, Volkswagen, Conde Nast, Paypal dhe GARMIN. Aplikacioni WatchON Remote do tu mundësojë përdoruesve që të kontrollojnë pajisje tjera elektronike, siç është telepiloti në shtëpitë e tyre.
Gear 2 dhe Gear 2 Neo thuhet se janë gjithashtu kompatibile me qindra pajisje tjera të Samsung. Do të jetë edhe një softuer për dëgjim të muzikës i cili mund të lidhet me Bluetooth 4.0, si dhe opsionet për ushtrime në ekranin 320 x 320 1.63-inç.
Edhe kamera në Gear 2 do të jetë e integruar në orë, për dallim nga hera e kaluar që ishte e integruar në rrip. Samsung Galaxy Gear 2 dhe Gear 2 Neo pritet të dalin në treg gjatë muajit prill, por çmimi i tyre momentalisht mbetet i panjohur.