Samsung i pari në botë për prodhimin e smartfonëve
Seul, 29 tetor - Grupi koreanojugor, "Samsung" konsolidoi pozitën e tij si kompania numër një e prodhimit të smartfonëve në botë për tremujorin e tretë të vitit ndërkohë që një pjesë e tregut amerikan të kompanisë "Apple" u tkurr, vlerësuan sot dy kabinete kërkimore.
Tregu botëror i smartfonëve avancoi me 38,8 për qind gjatë tremujorit të tretë të vitit me 258,4 milionë njësi të shitura, një rekord ky, që sipas kabinetit kërkimor IDC, duke u bazuar në këtë rritje të madhe dhe hedhjen në treg të modeleve të reja nga shumë prodhues, do të thyhet për herë të parë këtë vit me shitjen e më shumë se një miliardë njësive.
"Samsung" zotëronte sipas kabinetit, 31,4 për qind të tregut gjatë tremujorit të tretë të vitit në krahasim me 31 për qind vitin e kaluar, me shitjen e 81,2 milionë njësive duke regjistruar një rritje prej 40,5 për qind, më shumë se katër prodhuesit të marrë së bashku.
Kompania "Samsung" nuk e bëri publik nivelin e shitjeve të saj.
Një kabinet tjetër kërkimor, "Strategy Analytics", vlerëson se niveli i përgjithshëm i shitjeve të smartfonëve është në rritje e sipër me 88,4 milionë njësi të shitura që përbëjnë një rritje vjetore prej 55 për qind dhe 35,2 për qind të tregut në përgjithësi, ndaj shifrës 32,9 për qind të vitit të kaluar.
IDC nënvizon se modelet e shtrenjta të gjigantit koreanojugor Galaxy S4, 3 dhe Note 3 mbajtën pozicion dominant në treg, pasuruar edhe nga një gamë e gjerë modelesh më të lira duke i çuar shitjet në nivele rekord.
"Apple", që hodhi në treg në fund të tremujorit dy modele të reja të iPhone, mban vendin e dytë, por rritja prej 26 për qind e shitjeve të kompanisë me 33,8 milionë njësi të shitura është shumë më e vogël se ajo e tregut në tërësi.
Si pasojë e kësaj, pjesa e saj e tregut ra nga 14,4 për qind në 13,1 për qind sipas IDC, dhe nga 15,6 për qind në 13,4 për qind sipas "Strategy Analytics".
Sipas "Strategy Analytics", megjithë pozicionimin e saj aktual në treg "Apple" pritet të rifitojë terrenin e humbur gjatë tremujorit të katërt falë hedhjes në treg të modeleve të reja.