Rusia zgjat fushatën e sulmeve kibernetike
Moskë, 27 tetor - Zyrtarët rusë kanë mohuar prerë akuzat për sulme kibernetike kundër organizatave politike dhe zgjedhore amerikane dhe kanë dënuar kërcënimet e Shteteve të Bashkuara se do të kundërpërgjigjen.
Por ekspertët rusë të sigurisë kibernetike thonë se sulme të këtij lloji të nxitura nga shteti po shtohen në mënyrë dramatike si pjesë e \"luftës së informacionit\" të Rusisë me Perëndimin. Daniel Schearf i Zërit të Amerikës njofton nga Moska.
Në të ashtuquajturën \"luftë informacioni\" të Rusisë me Perëndimin, rrjeti i të rinjve pro-Kremlinit, i quajtur \"SET\" qëndron në pararojë dhe lufton kryesisht në Internet.
\"Ne besojmë se kjo është një pjesë e rëndësishme e punës sonë për të përcjellë, edhe tek të huajt, qëndrimin tonë lidhur me atë që po ndodh në Siri dhe Ukrainë apo për Putinin\", thotë Makar Vikhlyantsev i këtij rrjeti.
Grupi realizon video, disa mjaft të hapura, por nuk pranon të thotë nëse aktivitetet e tij mbështeten nga shteti.
Megjithatë, nuk ka dyshim se pas tyre qëndrojnë përkrahësit e presidentit Vladimir Putin.
Ludmilla Savchuk thotë se ajo ka punuar në një \"fabrikë ruse interneti\" ku njerëz si ajo paguheshin për të postuar sulme online kundër udhëheqësve të opozitës dhe Perëndimit, si dhe për të lavdëruar Putinin.
\"Kjo sigurisht nuk ishte e vetmja \"fabrikë interneti. Edhe gazetarë të tjerë kanë parë aktivitete të ngjashme në pjesë të ndryshme të vendit.\"
Përpjekjet kibernetike të Kremlinit janë shtuar pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, duke shkaktuar konfrontime me Perëndimin, thotë autori Andrei Soldatov përmes Skypit.
\"Ne vumë re dy gjëra: Së pari, fabrikat e Internetit dhe së dyti një nivel të ri, shumë më të sofistikuar të sulmeve kibernetike. Mesa duket ideja është po ajo: përdorimi i aktorëve jozyrtarë të të gjitha llojeve, me mbështetjen shtetërore, për të ndërmarrë këto lloj sulmesh.\"
Kremlini mohon çdo lidhje me fabrikat e internetit, ose me sulmet kibernetike ndaj organizatave politike në Shtetet e Bashkuara.
Ekspertë rusë të sigurisë kibernetike thonë se origjina e sulmeve nuk është e lehtë të provohet, por ka arsye të mendohet se pas tyre qëndrojnë aktorë shtetërorë.
Nuk është e mundur që sulme të tilla të ndërmerren nga një njeri i vetëm. Nëse gjykohet nga niveli i sofistikimit, ndoshta është qeveria ajo që qëndron pas sulmeve të tilla me viruse.
Qëllimi fillestar i sulmeve ishte të nxirreshin materiale që dëmtonin kandidaten demokrate Hillary Clinton. Ndryshe nga kundërshtari i saj, Donald Trump, ajo shihet si kandidate që synon të ndjekë një politikë të ashpër kundër Rusisë, thotë zoti Soldatov.
\"Mendoj se ata ndryshuan objektiv. Tani qëllimi i tyre është se si ta nxjerrin Rusinë në qendër të ngjarjeve, për ta bërë një superfuqi të vërtetë, sepse, vetëm një superfuqi mund të ndërhyjë në zgjedhjet e një prej veneve më të fuqishme të botës.
Zoti Lozhkin, ish-hetues i krimeve kibernetike, thotë se numri i sulmeve të tilla të mbështetura nga shteti është dyfishuar çdo vit, ndërkohë që teknologjia po i zhvendos përpjekjet shtetërore tek lufta me viruse në internet.