Rusia kërcënon Google, Facebook dhe Twitter
Moskë, 28 maj - Kompanitë teknologjike amerikane, si Google, Twitter dhe Facebook, janë kërcënuar nga agjencia ruse Roskomnadzor, që merret me mbikëqyrjen e mediave, për shkelje të ligjeve të këtij shteti në lidhje me internetin.
\"The Guardian\" raporton se, agjencia u ka dërguar kompanive një letër, ku u kërkon që të zbatojnë ligjet.
Ne letrën tonë ne i rikujtojmë kompanive për pasojat që sjell shkelja e legjislacionit, deklaroi zëdhënësi i agjencisë, Vadim Ampelonsky.
Ai tha gjithashtu se qeveria ruse do të bllokojë qasjen në shërbimet që ofrojnë këto kompani, nëse ata nuk do tiu binden rregullave.
Në muajin maj, Rusia miratoi një ligj, i quajtur Bloggers Law, ku thotë se çdo sajt me më shumë se 3 mijë vizitorë në ditë do të konsiderohet si një burim informacioni dhe do të jetë përgjegjëse për vërtetësinë e lajmeve që publikon.
Kështu, për të zbatuar këtë ligj, kompanive si Google, Twitter dhe Facebook iu është kërkuar që të dorëzojnë të dhëna në lidhje me këto uebsajte tek qeveria ruse.
Meqë kompanitë janë regjistruar nën juridiksionin amerikan, Ampelonsky u shpreh se nëse ato nuk do të zbatojnë ligjet ruse, atëherë do të detyrohen të zbatojnë sanksionet.