Rusia heq dorë prej Windows-it
Moskë, 30 dhjetor - Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin aprovoi një plan që synon të zhdukë software Windows nga tregu rus, në harkun e pesë viteve.
Kjo është periudha në të cilën mendohet se sistemi rus Propietarnoe do të jetë i gatshëm dhe në gjendje për tu instaluar në të gjithë sektorët, privatë dhe publikë të vendit, informoi e përditshmja ruse Pravda.
Software i ri do të shpërndahet falas për të gjithë, por qeverisë do ti duhet të punësojnë me dhjetëra mijëra teknikë, për të bërë kalimin në Propietarnoe të të gjitha shkollave, universiteteve, zyrave shtetërore dhe institucioneve në të gjithë vendin.
Presidenti i kompanisë Alt Linux, që po zhvillon softëare e ri, Alexei Smirnov është i sigurt se efektet pozitive do të jenë të mënjehershme pas kalimit në Propietarnoe.
Në radhë të parë, do të eliminojë të gjitha kostot për blerjen dhe update e vazhdueshëm të Windows. E dyta, do të krijojë një novacion të rëndësishëm në ekonominë ruse dhe e treta, do të krijojë përfitime duke u eksportuar edhe në vende të tjera jashtë Rusisë, deklaroi Smirnov.
Software i krijuar prej Microsoft, Windows-I është zotërues i pjesës më të madhe të tregut rus për momentin. Në vitin 2007, shteti pagoi 67 milion euro për të blerë një numër liçensash, të cilat skadojnë në vitin 2011.