Rusia heq dorë nga misioni i furnizimit të stacionit hapësinor
Anija kozmike ruse me rreth 3 tonë mallra, nuk hyri dot në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, për shkak të problemeve që pati menjëherë pas lëshimit.
Kreu i \"Roscosmos\"-it Igor Komarov u shpreh se anija e furnizimit humbi kontrollin menjëherë pasi arriti orbitën e saj paraprake.
\"Për shkak të kësaj, vazhdimi i fluturimit të anijes dhe bashkimi i saj i sigurt me Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës nuk janë të mundura. Tani ne po monitorojmë sistemet në bordin e anijes dhe po shqyrtojmë mundësi të ndryshme për të siguruar që anija të bëjë një ulje në ujë. \"
Zyrtarët rusë e pranojnë se do ta humbin anijen, e cila pritet të digjet sapo të rihyjë në atmosferë.
Agjencia Ruse e Hapësirës bëri të ditur po ashtu se nuk do të dërgojë anije të tjera mallrash deri në gjysmën e dytë të këtij viti.