Rruga e Qumështit ka 8.8 miliarda planetë si Toka
Florida, 5 nëntor - Universi është i madh, por ai mund të mos jetë i vetmuar sikundër kemi menduar.
Një studim ka dalë në përfundimin se Rruga e Qumështit përbëhet nga miliarda planetë që kanë madhësinë e tokës dhe që rrotullohen rreth diejve të ngjashëm me tonin.
Këto sisteme nuk janë as shumë të ngrohtë, por edhe as shumë të ftohte për të krijuar kushtet e zhvillimit të jetesës.
Astronomët, të cilët përdorën të dhënat e NASA-s, kanë dalë në përfundimin se në galaksinë tonë, ka të paktën 8.8 miliardë diej, të cilët rrethohen nga planetë të ngjashëm me tokën, si në madhësi, ashtu edhe në temperatura.
Studimi u publikua ditën e hënë në një revistë shkencore. Kështu, duket se ka më shumë planetë të ngjashëm me tokën se sa njerëz që jetojnë në tokë.
Në këtë mënyrë, ka shumë shanse, që diku në një nga këta planetë të Udhës së Qumështit, mund të ketë jetë.
Hapi tjetër i studimit është kërkimi i planetëve të ngjashëm me tokën dhe që kanë atmosferë.
Vëzhgimet do të bëhen me teleskopë të fuqishëm, që ne ende nuk i zotërojmë, por që pritet të prodhohen së shpejti.