Rrjetet kompjuterike të qeverisë ruse janë prekur nga virusi
Moskë, 31 korrik - Shërbimi rusi i sigurisë tha se rrjetet kompjuterike të rreth 20 organizatave ruse, agjencive qeveritare dhe kontraktorëve të mbrojtjes janë infektuar me një virus kompjuterik, i projektuar për spiunazh kibernetik.
Në një deklaratë në internet të shërbimit rus të sigurisë thuhej se virusi dhe mënyra e infektimit të rrjeteve kanë karakteristika të ngjashme me programet kompjuterike që janë përdorur në spiunazhin kibernetik të nivelit të lartë në Rusi dhe në mbarë botën.
Agjencia ruse e zbulimit nuk tha se kush dyshohet ti ketë kryer sulmet kibernetike, por njoftimi erdhi pas njoftimeve të kohëve të fundit për sulme kibernetike ndaj Komitetit Kombëtar Demokrat të SHBA dhe Komitetit për Grumbullimin e Fondeve për kandidatët e Partisë Demokrate për Dhomën e Përfaqësuesve.
Ekspertë të sigurisë kibernetike dhe zyrtarë të Partisë Demokrate kanë përmendur përfshirjen e Rusisë në të dyja rastet e sulmeve kompjuterike, duke ngritur spekullime se Moska është përpjekur të ndikojë në zgjedhjet presidenciale në favor të kandidatit republikan Donald Trump.
Kremlini ka mohuar të jetë përfshirë në këtë çështje.