Ri aktualizohet platforma 'Njih të drejtat tua'
Prishtinë, 18 prill - Avokati i Popullit (IAP) dhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë, kanë bërë sot riaktualizimin e Platformës elektronike Njih të drejtat tua - http://knowyourrightsks.org/sq.
Kjo Platformë elektronike, e krijuar nga Innovation Lab Kosovo (UNICEF) në pronësi të Institucionit të Avokatit të Popullit, si institucion kyç, për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, vë theksin në fushat e prioritizuara për moshat 16 29 vjeç: edukimin, shëndetësinë, komunitetet minoritare, punësimin, familjen, drejtësinë, angazhimin në komunitet, përfitimet sociale, fuqizimin e rinisë etj..
Platforma me një gjuhë miqësore dhe të thjeshtë ofron informacion mbi një varg ligjesh në vend, si dhe institucionet ku të rinjtë mund të drejtohen për të kërkuar zbatimin e të drejtave të garantuara sipas legjislacionit të zbatueshëm në Kosovë.
Aktualisht Platforma është në proces të përfshirjes edhe të një projekti nga Iniciativa e të Rinjëve për të Drejta të Njeriut (YIHR) në Kosovë që do të hapte mundësinë për parashtrimin e ankesave nga ana e të rinjëve edhe tek autoritete të tjera publike që kanë për mandat fuqizimin e zbatimit të ligjit.
Tashmë, Platformës Njih të drejtat tua, të rinjtë mund ti qasen edhe përmes aplikacionit të veçantë të Platformës për telefona të mençur, duke e ruajtur konsistencën me informacionin dhe mundësitë që ofron web faqja, përfshirë raportimin e rasteve apo parashtrimin e ankesave tek Institucioni i Avokatit të Popullit.
Në kuadër të promovimit të platformës, UNICEF Innovations Lab Kosovo prezantoi edhe Planin e veprimit, i cili do të realizohet në bashkëpunim me IAP-në.
Në funskion të zbatimit të aktiviteteve të parapara me këtë Plan, do të vizitohen shkolla të ndryshme nëpër shtatë komuna të Kosovës, për të prezantuar Platformën dhe njëkohësisht për të biseduar rreth të drejtave të tyre, si dhe në të njëjtën kohë do të organizohet edhe një garë për të rinjët të cilët do të mund të aplikojnë me kampanjat e tyre për të drejtat e të rinjëve dhe përdorimin e kësaj Platforme.