Rekord porosish për iPhone 6s dhe iPhone 6s Plus
New York, 16 shtator - Apple prezantoi javën e kaluar iPhone 6s dhe iPhone 6s Plus. Kompania ka nisur të pranojë porositjet për këta dy telefona inteligjentë, të cilat do të tregtohen më 25 shtator.
Porositë për këta telefona kanë qenë aq të mëdha, sa Apple është duke pritur që të thyejë rekordin e vitit të kaluar, ku shiti mbi 10 milionë njësi të iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus gjatë fundjavës së parë.
Vitin e kaluar mbi 4 milionë njësi të iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus u porositën që në 24 orët e para, ndërsa për këtë vit Apple nuk ka dhënë një shifër të saktë, por vetëm ka thënë se kërkesat për pajisjet e reja priten të jenë të mëdha.
Ndërkohë që, mendohet se shitjet do të shtohen këtë vit edhe për shkak se njësi të telefonave të rinj inteligjentë do shiten edhe në Kinë, ndryshe nga pajisjet e vitit të kaluar.