Qeveria i jep prioritet teknologjisë së informacionit dhe komunikimit
Prishtinë, 25 qershor - Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj po merr pjesë “Digital Assembly 2018”, organizuar nga Komisioni Evropian dhe Presidenca Bullgare e Këshillit të BE-së, me ftesë të Komisioneres së BE-së për Ekonomi Digjitale, znj. Mariya Gabriel.
Ministri Beqaj si pjesë e panelit “Lansimi i Agjendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor” së bashku me Komisioneren Mariya Gabriel dhe Ministrat e rajonit, ka shpalosur të arriturat dhe planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e Agjendës Digjitale, si pjesë e procesit të WB6.
Në fjalën e tij në këtë forum të rëndësishëm, Ministri Beqaj ka folur për perspektivën ekonomike të Kosovës të bazuar në ekonominë digjitale të dijes, duke theksuar se potenciali i Kosovës për integrim në tregun global, është i madh pasi vendi ka popullatë të re dhe të shkathtë në fushën e TIK-ut dhe ofrimin e shërbimit në këtë sektor të rëndësishëm ekonomik.
“Ekonomia globale digjitale ofron mundësi për integrim e Kosovës në tregun global të punës. Qeveria e Kosovës teknologjinë e informacionit dhe komunikimit e konsideron si një nga sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe transformim strukturor drejt një ekonomie dhe shoqërie të bazuar në dije”, tha ministri Beqaj në “Digital Assembly 2018” që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, organizuar nga Komisioni Evropian dhe Presidenca Bullgare e Këshillit të BE-së.
Ministri Beqaj ka folur edhe për mundësitë e zhvillimit të Kosovës në sektorin e teknologjisë informative, duke theksuar se Kosova njihet si vend me penetrim të gjerë të internetit në shkallë vendi që arrin afërsisht në 88 %. Ministri Besim Beqaj ka siguruar se Qeveria e Kosovës është duke zbatuar programin e ekonomisë digjitale të Kosovës - KODE, në bashkëpunim me Bankën Botërore.
Ministri Besim Beqaj gjithashtu ishte pjesë e pritjes nga Presidenti dhe Kryeministri i Bullgarisë.
“Digital Assembly” është një forum i madh vjetor që mbledh më shumë se 1,000 palë të interesuara dhe politikë-bërës të nivelit të lartë, për të debatuar politikën digjitale të BE-së dhe implikimet e zhvillimeve të fundit teknologjike dhe po mbahet në Sofje të Bullgarisë.