22 Dhjetor 2024

Promovohet pjesëmarrja e grave dhe vajzave në shkencë dhe teknologji

Prishtinë, 12 shkurt - Sot Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) së bashku me Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) dhe UN Women Kosovo mbajtën eventin e 6-të me radhë të edicionit SDG Brunch, ku u diskutua rreth nevojës për përfshirje më të madhe të grave në shkencë dhe teknologji. 

Njëherazi, ky event shënoi edhe Ditën Ndërkombëtare të Grave në Shkencë në Kosovë, e cila botërisht shënohet çdo vit më datë 11 shkurt. 

Në këtë event morën pjesë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare (si UNDP, UNMIK, EU, dhe KFOR), përfaqësues të asociacioneve që synojnë fuqizimin e grave, përfaqësues të akademisë, përfaqësues të sektorit bankar, përfaqësues të sektorit privat, zyrtarë të nivelit lokal dhe qendror, mediat, përfaqësues të shoqërisë civile të profilizuar në çështjet gjinore dhe teknologji, si dhe palët e tjera të interesuara.

Eventi u hap nga hulumtuesja e lartë/menaxherja operacione në INDEP, z. Learta Hollaj, e cila potencoi nevojën e lartë për organizime të tilla të cilat ngrisin vetëdijen e publikut, jo vetëm për barazinë gjinore, por për të gjitha qëllimet e tjera të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ-të). 

Hollaj theksoi se ky sektor vazhdon të dominohet nga burrat dhe se nevojiten përpjekje të bashkërenduara nga të gjithë faktorët dhe akterët ashtu që përfshirja e grave dhe vajzave të reja të jetë e barabartë me burrat dhe djemtë në sektorin e punës, veçanërisht në teknologji dhe shkencë.

Në fjalën hyrëse, znj. Vlora Tuzi Nushi, shefe e zyrës në UN Women Kosovo, tregoi fillimet e saj në shkencë dhe sfidat me të cilat u ballafaquan gratë ndër vite në këtë lëmi. Znj. Tuzi Nushi theksoi se “Qasja jo e barabartë ndalon përparimin e grave”, si dhe bëri thirrje që organizatat të bëjnë promovimin dhe fuqizimin e grave. 

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), Burim Ejupi, deklaroi përkushtimin e INDEP-it për Agjendën 2030 për promovimin e OZHQ-ve. 

Ejupi tha se “Kosova duhet ta ketë në agjendë barazinë gjinore në nivel shtetëror pasi që duhet t’i ketë parasysh raportimet potenciale në të ardhmen rreth gjendjes së barazisë gjinore, në momentin kur do të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, si OKB”.

Prezantimi i parë i këtij eventi u mbajt nga znj. Zana Idrizi, e cila është bashkëthemeluese e ‘Girls Coding Kosovo’, organizatë kjo e cila ka për qëllim kryesor inkurajimin e grave që të arrijnë potencialin e plotë të tyre akademik dhe profesional në fushat teknike. 

Znj. Idrizi në prezantimin e saj pasqyroi rrugëtimin deri te krijimi i ‘Girls Coding Kosovo’, gjatë të cilit ajo përmendi edhe rrethanat që e kanë shtyrë atë personalisht të mendojë rreth krijimit të një organizate të tillë.

 Sukses të madh ajo e konsideron faktin se në vitin 2016 ‘Girls Coding Kosovo’ kishte afro 1000 anëtarë nën ombrellën e saj. 

Përpos kësaj, në kuadër të punës të organizatës, u krijua edhe aplikacioni “Ec shlir”; aplikacion ky që raporton ngacmimet seksuale. Në fund, ajo theksoi se anëtaret e ‘Girls Coding Kosovo’ sot shërbejnë si ambasadore të sektorit të teknologjisë dhe se në përgjithësi punojnë për tëmirën kolektive.

Ndërkaq, prezantimi i dytë u mbajt nga znj. Rrezarta Pllana, profesoreshë në Cacttus Education, dhe njëherazi bashkautorë e librave të shkollave të mesme për Teknologji dhe Informacion. 

Znj. Pllana tha se “Teknologjia e informacionit nuk është profesion statik dhe se duhet të punohet në vazhdimësi, pasi që zhvillimet në këtë profesion janë shumë të shpeshta dhe se duhet qenë të përditësuar në këtë temë gjatë tërë jetës”. 

Znj. Pllana e përfundoi prezantimin e saj duke bërë thirrje për vajzat reja që të mos kenë frikë të zgjedhin profesione që konsiderohen për meshkuj, edhe nëse ndodh që ato të jenë të stërmbushura me shumë sfida.

Nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, koordinatore e OKB për Zhviilim, znj. Ulrika Richardson, përmendi si fakt pozitiv që ky event mblodhi një numër të konsiderueshëm të grave të përfshira në shkencë dhe teknologji si dhe theksoi se “Ndryshimi është i pamundur të vijë në qoftë se gjysma e popullsisë, vajzat dhe gratë, lihen jashtë shkencës dhe teknologjisë“.

 Znj. Richardson përfundoi fjalimin e saj duke theksuar se “Duhet t’i shohim vajzat dhe djemtë njëjtë dhe se përfshirja e barabartë e tyre është rruga e vetme drejt ndryshimi”. 

Mysafire nderi në këtë event ishte, kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, “tha se nuk mjafton t’i përkushtohemi vetëm një ditë fuqizimit të grave në shkencë dhe teknologji pasi që gjendja vazhdon të mos jetë e mirë. 

Znj. Osmani tha se Kosova po ec në hap me trende në shumë fusha, por sido që të jetë “Qeveria e sapo formuar e Kosovës do të fokusohen në mbështetjen e vajzave dhe grave në STEM, veçanërisht që aftësitë në STEM do të kërkohen në 99% të profesioneve në të ardhmen. Kjo duhet të jetë gjenerata e barazisë“. 

Në këtë drejtim, ajo premtoi mbështetjen dhe përkushtimin e saj për gratë dhe vajzat e reja në këtë mandat që ajo sapo ka nisur.

Ngjarja u përmbyll me panelin e përbërë nga të dy prezantueset paraprake të cilat iu përgjigjën pyetjeve të parashtruara nga audienca.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)