Prokuroria kërkon një dënim me 12 vjet burg për shefin e Samsungut
Seul, 8 gusht - Prokurorët e Koresë së Jugut kërkuan një dënim me 12 vjet burg për shefin e kompanisë Samsung Lee Jae-yong i akuzuar për korrupsion lidhur me skandalin politik që çoi në gjykimin dhe shkarkimin e ish presidentes Park Geun-hye.
Sot, gjatë argumenteve të mbylljes, prokurorët thanë se Lee i ka dhënë miliona dollarë dy fondacioneve të dyshimta jo-fitimprurëse të drejtuara nga Choi Soon-sil, një mike e ngushtë e ish presidentes Park, në këmbim të një vendimi të favorshëm për bashkimin e dy degëve të Samsung-ut.
Bashkimi do të kishte lehtësuar rrugën e zotit Lee për të marrë kontrollin e plotë të konglomeratit nga babai i tij. Ai ka mohuar të ketë kryer ndonjë veprim të paligjshëm.
Vendimi pritet të merret më vonë gjatë këtij muaji.