Prezantohet programi i konsulencës për bizneset kosovare.
Prishtinë, 14 gusht Në ambientet e Innovation Centre Kosovo (ICK), para mbi 40 të pranishmëve, Banka TEB dhe Girisim Training & Consultancy Center nga Turqia, prezantuan programin 6-mujor të konsulencës, e cila do ti ofrohet pa pagesë bizneseve ekzistuese dhe ndërmarrësve të rinj nga Kosova.
Synim i këtij programi është transformimi i ideve të biznesit në biznese reale dhe të qëndrueshme, nëpërmjet punëtorive, takimeve individuale me ekspertë, mentorimit, analizës së tregut, ndihmë në përpilimin e biznes planeve strategjike dhe pregatitjen e pjesëmarrësve të programit për prezantimin e planeve të biznesit përpara investitorëve vendor dhe ndërkombëtar.
Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo (ICK) gjatë ceremonisë së prezantimit të programit tha se ky është kurorëzim i punës së përbashkët disa javore me bankën TEB, me qëllim të përkrahjes së bizneseve vendore.
ICK përveq përkrahjes së bizneseve nga fusha e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, është e vendosur tju ofrojë ndihmë nëpërmjet partnerëve të saj edhe bizneseve tjera që kanë nevojë për ekspertizë, konsulencë dhe përkrahje teknike në realizimin e planeve të qëndrueshme të biznesit. Shumë shpejtë do të bëhen publike informatat rreth mënyrës së aplikimit në këtë program, prandaj ftohen të gjithë të interesuarit që ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Ftesë për ta shfrytëzuar këtë mundësi, të pranishmëve iu shprehu edhe z. Arton Celina, zv. Drejtor i Përgjithshëm i bankës TEB në Kosovë.
Ne kemi vendosur që këtë model ta sjellim në Kosovë për herë të parë, pasi që i njejti ka rezultuar me sukses të dukshëm në Turqi, në aspektin e përkrahjes së bizneseve të reja dhe ato që nuk kanë mundësi financiare për të përballuar shpenzimet e konsulencës profesionale. Ky program do të jetë i hapur për të gjithë të interesuarit, prandaj shpresojmë që shumë prej tyre do ta arrijnë fazën e prezantimit të planeve të biznesit tek investitorët.
Nga Girisim Training & Consultancy Center, programin e prezantoiAdnan Shahsuvan, i cili theksoi se programi do të jetë i ndarë në dy pjesë: Programi i bzineseve ekzistuese e të pozicionuara në treg dhe Programi i ndërmarrësve të rinj. Për dallim nga programet tjera të ngjashme, programi që ne përfaqësojmë nuk do të ketë shumë punë në grupe, pasi që secili biznes i ka veqoritë e veta, prandaj edhe konsulenca duhet të jetë specifike u shpreh z. Shahsuvan.
Pas përfundimit të punëtorive të përbashkëta në dy muajt e parë të programit, do të vazhdojmë me punën individuale me bizneset në: kategorizimin e produkteve/shërbimeve, pozicionimin e produkteve në treg, përcaktimi i efektit të konkurrencës, përcaktimi i çmimit dhe shitjeve, përmirësimi i planeve të biznesit, struktura organizative e biznesit, modeli financiar si dhe aktivitetet afat-shkurtë dhe afat-gjatë të biznesit, përfundoi z. Shahsuvan.
Të gjithë pjesëmarrësve të përzgjedhur, në fund të programit do tju ofrohet mundësia që ndjekin Kampin e pregatitjes së prezantimeve, gjatë së cilit ata do të mësojnë rreth asaj se çka presin investitorët, si zhvillohet një proces i investimit, në çka duhet të kenë kujdes gjatë prezantimit përpara investitorëve si dhe çka duhet thënë e çka jo gjatë prezantimit.
Ky program i konsulencës, pritet të fillojë në shtator 2014, ndërsa shumë shpejtë do të bëhet publike edhe thirrja pë aplikim.
Programi mbështetet nga TEB Bank dhe Innovation Centre Kosovo (ICK), ndërsa ofrohet nga Girisim Training & Consultancy Center nga Turqia.