Posta elektronike e Facebook dështon
Kaliforni, 3 mars - Facebook hoqi dorë në heshtje nga shërbimi i vet i postës elektronike, e cila u dha përdoruesve një adresë email-i @facebook.com. Tani e tutje, email-et e dërguara në këto adresa do të përcillen automatikisht tek adresat e email-it me të cilat përdoruesit kanë hapur llogaritë e tyre në rrjetin social.
Shërbimi filloi në nëntor 2010 dhe u paraqit si një mënyrë për të përqendruar komunikimin e përdoruesve të internetit në një platformë të vetme. Ai u kritikua më 2012, kur Facebook zëvendësoi adresat e publikuara të postës elektronike të përdoruesve të vet me adresat e reja në profilet e tyre. Kompania e tërhoqi këtë lëvizje më vonë.
Facebook është një kompani që vlerësohet shumë në bursë, por sërish shumë analistë thonë se nuk shohin të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar vlerën e aksioneve të saj.