Pirateria në internet përbën kërcënim ndaj ekonomisë
Washington, 12 shkurt - Zyrtarët amerikanë thanë se një raport i ri i qeverisë jep hollësi mbi kërcënimet që përbën pirateria në internet ndaj ekonomisë, ndërkohë që Kina është në krye të vendeve që kryejnë sulme kibernetike.
Zyrtarët folën për mediat amerikane mbi këtë raport sekret të titulluar \"Vlerësime të Zbulimit Kombëtar.
Duke iu referuar raportit, gazeta Washington Post, thotë se piratët po vënë në shënjestër sektorët e energjisë, financave, teknologjisë së informacionit, aviacionit dhe automobilëve.
Sipas disa llogaritjeve, kostoja e këtyre sulmeve për ekonominë amerikane kap dhjetra miliarda dollarë çdo vit.
Por disa kompani ngurrojnë t\'i raportojnë dëmet e shkaktuara nga sulmet kibernetike, prandaj kostoja e vërtetë është e panjohur.
Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësitë për t\'u kundërpërgjigjur, ku përfshihet vendosja e kufizimeve të vizave dhe masa të ndryshme tregëtare.
Gazeta Washington Post thotë se presidenti Barack Obama pritet të nxjerrë këtë javë një urdhër ekzekutiv për sigurinë kibernetike që synon mbrojtjen e sektorit privat ndaj përpjekjeve të piraterisë në internet.