Përparon teknologjia e shtypjes 3D
New York, 1 dhjetor - Një teknologji e njohur si shtypja 3D, ose "prodhimi shtesë", ka kohë që përdoret për të krijuar modele prototip të objekteve tredimensionale.
Një ekspozitë e re në Londër tregon se si teknologjia ka evoluar, për të kursyer kohë dhe para gjatë prodhimit të makinerive, rrobave, automjeteve, madje dhe pjesëve të trupit, duke përdorur robotë industrialë për krijimin e prototipeve, të njohur si printera 3D.
Kjo makinë arrin 320 kilometra në orë dhe është pranuar në garën 24-orëshe në Le Mans. Ajo është rezultat i disa prototipave të ndërtuar nga Strakka Racing, një kompani me bazë në Silverstone, qyteti i sporteve motorike të Britanisë.
\"Garat janë një industri kaq konkurruese saqë nëse nuk arrin të sjellësh diçka të re në pistë, mbetesh prapa, dhe kur mbetesh prapa është pothuajse e pamundur të marrësh veten.\"
Si shumë ekipe të tjera, Strakka ka përdorur shtypjen 3D të elementëve përbërës për të provuar materiale dhe modele të reja sa më shpejt të jetë e mundur. Por kompania tani po prodhon pjesë të plota të makinës duke përdorur teknologjinë e printimit 3D, që në thelb është vënia e materialit nën kontrollin e kompjuterit për të marrë një formë të dëshiruar.
\"Kemi pjesë aerodinamike në makinë si pjesa e marrjes së ajrit, pjesët e brendshme. Zbuluam se veçoritë e materialeve kanë ndryshuar kohët e fundit duke qenë më të ngurta, të forta dhe të lehta aq sa për të shërbyer si një pjesë përbërëse përfundimtare e një makine gare.\"
Një kompani holandeze po zhvillon avionë të vegjël të telekomanduar për përdorim në jetën e përditshme, si për kontroll të zonave për zjarr apo probleme të tjera.
\"Për momentin po punojmë mbi komunikimin e avionëve të telekomanduar me njëri tjetrin, duke krijuar mundësi që ata të dinë ku ndodhet avioni tjetër. Tani jemi në një fazë zhvillimi me këtë projekt. Për të ardhmen, avionët pa pilot do të bëhen gjithnjë e më të vegjël dhe inteligjentë dhe do të mund të bëjnë gjëra që ne tani ndoshta nuk mund as ti imagjinojmë.\"
Teknologjia e printimit 3D është e dobishme dhe për kostumografët.
\"Jo shumë kohë më parë nëse kishim shpenzuar shumë kohë për të bërë një prototip dhe në qoftë se kuptonim që nuk përshtatej apo nëse duhet ti bënim ndryshime të mëdha, kjo nënkuptonte humbjen e javëve të tëra pune. Tani, ndryshimet mund ti bësh shumë shpejt.\"
Edhe stilistët janë dakord. Por Naomi Kaempfer, drejtore e punës krijuese e kompanisë Stratsys, një prodhues amerikan i printerave 3D, thotë se prodhimi me shtypjen 3D është ende në zhvillim.
\"Jemi ende duke pritur që materialet e prodhuara me shtypjen 3D të kenë qëndrueshmërinë dhe forcën e duhur, që fibra tekstile lejon. Duhet të kuptojmë se shtypja 3D është një teknologji prodhimi me shtresa, dhe për të krijuar qëndrueshmërinë e fibrës duhet të ketë fije të vazhdueshme përgjatë materialit.\"
Sot, printimi 3D ka përparuar mjaft që nga koha kur shërbente vetëm për të prodhuar modele, në mënyrë që kirurgët plastikë, arkitektët apo kompanitë prodhuese të mund të krijonin një ide vizive të produktit përfundimtar.